Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all 568 articles
Browse latest View live

AFIRMIMI I LETËRSISË SHQIPE NË BOTË

$
0
0

LETËR NGA VARSHAVA-TË TJERËT PËR NE/

MAZLLUM SANEJA – RRËFIMET E POETIT TË PAEPUR/

– Në Varshavë të Polonisë, në ambientin e Amfiteatrit të Lidhjes të Shkrimtarëve të Polonisë u bë përurimi i librit me poezi të zgjedhura ‘LISTY DO EWY'(‘LETRA EVËS’) i poetit dhe  përkthyesit të mirënjohur Mazllum Saneja, përkthyer në polonisht nga Mazllum Saneja dhe Ewa Śmietańska, të cilën vepër e botoi Shtëpia e njohur Botuese polake ‘Komograf’ Varshavë,  tetor 2015.

Këto ditë, pikërisht më 27 prill, në Varshavë, u bë përurimi i librit me poezi të zgjedhura ‘Letra Evës’ i poetit dhe përkthyesit të njohur Mazllum Saneja. Për veprën e poetit u mbajt një kumtesë të cilën e paraqiti poeti, romancieri dhe kritiku i njohur polak në botë, Andrzej Zaniewski. Për veprën poetike të Mazllum Sanejës folën kritikët e njohur polak Aldona Borowicz, Jan Kwestarz, dhe Stanislaw Grabowski .

“Biografitë e poetëve kanë nganjëherë fuqinë  e poezisë, shpesh shndërrohen në poezi, poema, rrëfime epike, nganjëherë në dimensione të miteve, të gojëdhënave apo të legjendave antike…’ kështu e filloi kumtesën e vet referuesi kryesor i përurimit

të librit të Mazllum Sanejës, kritiku letrar Andrzej Zaniewski, për të vazhduar më pas se ‘Mazllum Saneja shkruan në gjuhën shqipe, në një gjuhë që përbën grupin e veçantë në mes të gjuhëve indoevropiane dhe, nuk ngjason me asnje gjuhë tjetër. Po, Mazllum Saneja shkruan edhe në gjuhën polake, të cilën e mësoi si autodidakt, ku më vonë ndjek kurset e gjuhës polake në Universitetet e varshavës, Vrocllavit dhe të Krakovit. Sot Mazllum Saneja është emigrant në atdheun e tij të dytë – Poloni, i cili si një poet i shkëlqyer, ousider përshkon botën e vet – botën tonë, qarkullon në mes të Prishtinës, Gjakovbës dhe Varshavës e Krakovikt, duke u përpjekur të na bind  se vlen të ëndërrosh, të lektisësh, të mbrosh  të drejtat tua moralëe, të luftosh për vlerat universale përtej kohore, të drejtat njerëzore për liri, besim, mëvetësi, besnikëri, t’i qëndrosh besnik idealëve tua karshi vetvetes dhe botës. Konceptet sot të zmbrapsura, të harruara dhe të flakura mënjanë çfarë janë  – dinjiteti, nderi, ambicja, respekti, krenaria, virtyti, lavdia, ndërgjegjja – gjithnjë për të janë më rëndësore,të gjalla, vendimtare në çdo hap, mbi vendimet e marra shpeshherë edhe karshi vdekjes, dëshpërimit, dhembjes, vuajtjes, hidhërimit.

*         *        *

asnjë pikë loti

për mua

jeta e njeriut

qenka vetëm një udhëtim i pambarim

ndiej

madje edhe vdekjen

do ta kem të vetmuar

të shkruaj ty

që të mbahesh

si trime

(Të shkruaj Ty)

Duke i rrëfyer Evës, mikes besnike, poeti shfryn tërë dufin e mllefin, tërë vuajtjen e dhembjen,sepse vetëm Asaj i rrëfen sekretet e shpirtit të vet të sfilitur, sepse vetëm Ajo e kupton thellësisht tipin e personalitetit të tij të ndërlikuar, ia kupton çdo gjest, shprehjen e fytyrës, mënyrën e të folurit, të shkruarit, mënyrën e të veshurit e të ecurit. Letrat e poetit Mazllum Saneja do t’i mbaj gjatë në kujtesën time porsi sonetet e Petrarkës, ‘Letrat e Elzës’ të Aragonit, rrëfimet tronditëse të Paul Eluard-it, frayat subtile të poetit të madh spanjoll Federico Garcia Lorces.

Rrëfimet poetike të Mazllum Sanejës nuk janë rrëfime të një dashurie rinore, po janë rrëfime të një dashurie të pjekur, të vetëdishme. Mazllumi është gjithnjë në klërkim të së vërtetës për vetveten. Ai ndjen nevojën e rrëfimit, të pëshpëritjes, të përshkrimit të ndjenjave të veta. Ai jeton në bredhëritje në mes të vendeve, të cilat e kanë zgjedhur. Apo ndoshta  ndërmjet atdheve, në të cilat është i diktuar përmes fatit, situatës dhe gjithashtu përmes mbrojtjes së dashurisë. Për një moment mendohem se mos poeti i revoltuar nga realiteti i pasigurt dhe i ankthshëm këtu do të braktis vendbanimin e qiraxhiut të pakënaqur në një vend tjetër, sepse tash një kohë të gjatë e ka molisur ai fati emigrantit të zhgënjyer në vetminë e trishtë të mërgimit, duke dëgjuar nganjëherë ato fjalë të tmerrshme : këtu je i tepërt, i padëshirueshëm, ekziston në fusha të huaja të shahut,. Ky model i jetës së hidhur gjithnjë i ka intriguar dhe tërhequr botën e njerëzve të pangopur dhe përbuzës, duke vëzhguar me ironi dhe arrogancë botën e … vegjëlisë  :

2.

*          *         *

Nga çdo anë shoh tortura

rreth e përqark shtëpisë sonë

se ujqërit monstrumë sa vijnë e shumëzohen

(Ngritja e mendjes)

Monstrumë të tillë – demonë – hiena, i njohim, i dimë nga përdishmëria e realitetit tonë polak. Aji Indiferenca – Përqeshja – Inati – Mosdashja – Ironia – Përbuzja – Poshtërimi.

Ndjeshmëria e madhe e poetit dhe përkthyesit brilant të poezisë çfarë ësht Mazllum saneja i cili gjithnjë në situata të vështira jetësore është gjendur para shumë provave dhe sfidave të llojllojshme, para miqësive të zhgënjyera dhe grackave të fshehura e të kurdisura,premtimeve të genjeshtërta, e kushedi para sa e sa sjelëljeve poshtëruese dhe të prapëta,të cilkat poeti i mbarti në shpirtin e tij të vrarë me një stoicizëm.

Tronditës është ai besimi dhe karakteri i tij, i pathyeshëm në fuqinë e fjalës, që është më e fuqishme  se muret, grilat, burgjet, terrori, shfarosja. Dhe me fjalën poetike Mazllumi shkruan dhe lëron vargun poetik me një mjeshtëri të rrallë. Me forcën biblike të profetëve, duke shkuar gjithnjë i vetmuar fillikat në grumbull njerëzish – tingëllojnë strofat e kësajpoezie, të destinuara për të gjithë ata që kanë mbijetuar ose mbijetojnë sikur autori.

Dhe dashuria, një dashuri e thellë e një njeriu me përvojë dhe të thekur – e kredhur  në zhgënjime , është e përshkuar  me plot frikë, shqetësime, çaste pasigurie, dhe si e tillë duhet të jetë. Eva, heroina lirike e ‘Letrave’ e shikon poetin e vet rebel, me një ndjeshmëri dhe mirëkuptim. Ajo dëshiron të jetë[ njëkohësisht grua e vërtetë, mike besnike në përditshmërinë monotone, m,brohtëse, një engjëll-mbrojtës.

‘Letra Evës’ janë një dëshmi e hidhur e kohës, reflektim i dilemave tona qytetëruese, të goditura  e të ngjeshura, me ndjenjën e vërtetë e të madhe njerëzore.

Me fuqinë dhe saktësinë e fjalës poetike Mazllum Saneja  na përkujton Federico Garcia Lorcen dhe Rafael Albertin. Në letrat e tij poeti damkos, stigmatizon turpin e botës së përdhosur çfarë jane luftrat, uria , dëshpërimi, spastrimet etnike, indiferenca dhe mospërfillja e të pasurve karshi të varfërve. Poezia e Mazllum Sanejës, ndonëse i kushtohet dashurisë, mbart në vetvete dhe këto damka. Poeti i revoltuar dhe i mbyllur në vetvete, nganjëherë i inatosur dhe i zemëruar vështron kohën si një materie e veçantë eksplozive, kupton kërcënimet e kufijve të lënduar dhe të brishtë, në të cilat ne veprojmë me guxim dhe indiferencë,po më shumë në mënyrë absurde. Së këtejmi, duhet t’i dorëzohemi dashurisë, që të kuptojmë më mirë botën, që të mos i frikësohemi, që të mos ikim në panik, po të mbetemi…

*            *               *

emri yt

vaj dëllinje

i derdhur

kopsht i  dendësuar

lumë i rrëmbyer

burim drite

e bukur

si Jerusalemi

të shkruaj ty

mikja ime

Dhe, nuk bën asessi të lë në harresë pa theksuar rolin e rëndësishëm të redaktorit Ewa  Śmietańska , e cila bashkë me autorin Mazllum Saneja ka bërë me një mjeshtëri të përkryer përkthimin e teksteve subtile dhe shumështresëse, që ndërlidh dhe afron në mes vete njerëzit dhe popujt…” tha duke e përfunduar kumtesën ,kritiku i njohur letrar Andrzej Zaniewski.

Ndërkaq, kritiku tjetër letrar Aldona Borowicz, duke folur për veprën poetike ‘Letra Evës’të Mazllum Sanejës theksoi se, “optika e vështrimit poetik është e gjërë në shtruarjën e problemeve jetësore jo vetëm të poetit. Duke i shkruar letrat për Evën poeti rrëfen për të papriturat e jetës dhe botës përreth dhe, lirisht mund të themi se kjo poezi është dhe një diagnozë e hidhur për botën në fillim të mijëvjeçarit të ri”

3.

“Mazllum Sanejen – poetin dhe përkthyesin e njohur emigrant  mund ta krahasojmë me shkëmbin e vetmuar në oqeanin njerëzor’ kështu e nisi fjalën e tij një tjetër kritik letrar Jan Kwestarz.Brenda botës së tij ekziston një femër si një engjëll-mbrojtës, ku i drejtohet poeti dhe,i shkruan letra, ndonëse nuk dimë , se a thua vallë i dërgon këto letra, apo-jo?

Duke i lexuar me vëmendje këto letra si lirika subtile të një cilësie të lartë, gjithnjë më shkon mendja tek poeti i rraskapitur nga sprovat e jetës së vështirë , që vetëm dashuria dhe besnikëria e gruas së dashur i lejon atij, poetit të mbijetoi çastet më të hidhura dhe më të vështira në jetë” .

Për veprën poetike të Mazllum Sanejes fjalën e mori edhe poeti dhe kritiku letrar Stanislaw Grabowski, ku në mes tjerash tha se “Në këtë vëllim poetik fjalë kyqe çfarë janë:

dhembja, trishtimi, dëshpërimi, ethet, vuajtja, uria, mërgimi, bredhëritjet, frika, vetmia,shqetësimi – diktojnë imazhe të vijëzuara, të cilat nukm mujnd t’i fshehish për një ditë pune,të cilat i gjejmë nëpër gazetat dhe mediat e përditshme brenda të ashtuquajturës politike  e madhe. Sot, kur fjala dhe zëri i poetit po humbet në një skaj të botës si një klithmë e mbytur, ku vendin e tij e ka zëvendësuar bota virtuale dhe e pandjeshme einternetit, që gjithnjë më tepër  po i gremis vlerat me humane dhe më sublime njerëzore.

Gjithnje para nesh shtrohet pyetja: a thua në botën apokaliptike, jo të krijuar përmes poetit, që ndodh realisht pa pjesëmarrjen e tij, vallë a ka ndonjë shpresë për ne, atëherë ku mund ta kërkojmë? Në vëllimin poetik ‘Letra Evës’ të Mazllum Sanejes shpresa është vetë dashuria, e cila na trimëron dhe na mban gjallë në jetë, megjithë  sëkëllditë dhe vuajtjet e përditshme,  e gjejmë elementin poetik të të kërkuarit -të kërkuarit e shpresës, ringjalljes së jetës, besimit dhe ngritjes të sistemit të vlerave njerëzore”

 


Alfons Grishaj në Sofrën Poetike të Diellit

$
0
0

Alfons Grishaj/

 Ndjesë Pastë/

-Ndjesë pastë…, qe i mirë ./

Sa i dashtun  dhe i vshtirë./

Qen bir qeni, – një nga fundi./

Plaka e krrusun ,- hë, zullumi!…/

 

Tek dera  një “burri i madh”/

Gjyslykë ngjesh, gojës një shall./

Çdo i pranishëm  kundroi,/

Nuk pa , nëse qeshi a vajtoi…/

 

Hapën rrugën në xhenaze,

Neraxhesës me  avaze ,

Në dorë i vyshkur karafil

Përkul’ në vesh i thot’: “debil”!

 

Ra përsipër rrasa e vorrit

Nga një sy dy lot prej zorit,

U çliru njaj  kallaballëk

Shpirti tij shkoi  porsi melek.

 

Tuj fluturu  për në hava :

“Gabriel, ma  ndaj kyt  dava…

Thu kam kenë dhe unë si kta ?

Nuk jam un’, por ata me u qa”!

 

Të madhe qeshi Gabrieli…

“Krejt i afërt asht  exheli,

Fjalët boshe kot së koti

Mos gjyko , se i gjykon Zoti”!…

 

Besimtari

 Tastieret  rruaza në qafë,

Lirat e Turkut, kryq e hënë,

L’kurën e palltos nga xhirafë,

Kapelë lëkure nga ujk rënë.

 

Këpucët vesh’ prej papirusi,

Çorape teli, çakshir argjile,

Kuti duhanit me myshk pusi,

Qaforen gëzofi prej një skile.

 

Ai, ekscentriku i vetëtimës

Fjaloset me  erën e  tërbuar,

Mprehur brisk përmes mjaullimës,

Brenda breshërit të gjymtuar.

 

Fuqia e shpirtit kur është i lirë

Si ajri i pranishëm gjithkund,

As breshër, as kohë e nxirë,

Asgjë s’e ndal, askush s’e mund.

 

Rrënjët  krejt çakshirë  argjile.

Qëmot’ këpucë papirusi.

Yll’ e kryq stoli vigjilje,

Simbol i frymës nga Jezusi!…

Se atëherë o mik’, …

 Gëzohu kur dielli  lind në agim

Për ditën e re plot dritë e jetë.

Kundrimi e luleve   galdim,

Aromat  shijoji i(e)qetë.

 

Duaje xixëllonjën që ndrit në terr,

Mushkonjën që të pickon drejt  në vesh.

Në vuajtje   harro satana e ferr ,

Në kup të qiellit gëzo e qesh!

 

Kupën e verës mik(e) amshuar…

Pije me fund , të mbush me lumturi,

Armikun e mposhtur e të rrënuar

E sheh  me paqe  e dhembshuri!

 

Me  dashuri  natyrën e përsosur

Në paqe vishe  me kënaqësi,

Mendo dhe për jetën e pasosur…

Se atëherë o mik’, ke lindur  sëri!

Vashës -Grua

 Në prarimin e mrekullisë qiellore

Ku mblidhen gjitha andjet dhe ndjesitë,

Skulpturë e gjallë  një mijë kolore

Mjeshtërinë e vet gdhendën perënditë…

 

Porsi dikur , kuror dafinash  Rozafat,

Shëmbëlltyrë  Morsinie e Kostandini,*

Mbi kullën e shekujve dashuri ,  o fat !

Lavdi yjeve ! Se  bën roje , Kerubimi*…

*- Kostandini e Morsinia. Një histori  e Skenderbeut…

Kostandini ishte vëllau binjak i Ballaban Pashës. Shpesh herë Turqit , e ngatërronin Konstandinin me Ballabanin , dhe ushtria e Kastriotit , e ngatërronte Ballaban Pashën me Konstandinin.

Morsinia dhe Konstandini , u martuan në kështjellën Rozafat,  nën kurorat e dafinave . Sipas legjendës, Skënderbeu u kujdes për martesën e tyre…

*Kerubimi(Cherubim) = Engjëll . Roje i dritës dhe i yjeve.Pamja  e tij përbëhet prej katër fytyrash : Një fytyrë burri, kau , luani dhe ëngjëlli.

– Shënimet e mia.

Dalan Luzaj, “Nderi i qytetit të Vlorës”

$
0
0

Sic e njoftoi redaksine e Diellit gazetari Duro Mustafaj, Këshilli Bashkiak i Vlorës ka shpallë poetin Dalan  Luzaj, me banim ne Chikago, SHBA,  “Nderi i qytetit të Vlorës”, për kontribut në  fushën e krijimtarisë letrare. Dalan Luzaj u lind në Vlorë ne vitin 1944. Babai Isufi qe një nga krerët e organizatës së Ballit Kombëtar Shqiptar. Pas ardhjes së Enver Hoxhës në pushtet Isuf Luzaj u largua nga Shqipëria dhe në vend të tij familja u ndoq dhe u persekutua…

Per kenaqesi te lexuesit po publikojme dy poezi nga Dalan Luzaj:

1- Nje Nene

Sa lot kish derdhur ne vetmi,
sa “ah”! tek zoti pat derguar,
kete vec shpirti i saj e di
dhe zoti lart n’e paste degjuar.

Gjithcka qe prekte behej lot
dhe loti ndriste syte e tretur;
ah, mrekullite qe kish kjo bote,
kaq mizorisht ia pati fshehur.

Gjithe zine e mbledhur neper jete
a thua vdekja do t’ia trese?
E luti vdekjen “eja shpejt”-
dhe vdekja s’mund te mos e merrte.

2- Drita

Drite quhej nena ime,
E mjera drite nuk pa kurre,
helmin qe la pas,
s’e ka as gjarperi nen gure.

Lodhje. Plage. Trishtim.
Te njohu emrin qe le pas,
te njohu brenga e shpirtit tim.
me ligje vdekja qan mbi ty;
tani je larg, moj e shkrete,
mbi ballin tend,
hedh hijen nje selvi.
Nene e braktisur… Pese femije…
Dheu s’te tret,
nga dheu me ben drite.

3- Fjala

Ne qafen e holle te fjales
nje zilke e ngjyrosur troket;
fryn ere neper vite,
zilken as shpata se pret.

4- Shpella

Asnje rreze djelli nuk le te hyje brenda;
bragtisur ne shpella: myshk lageshti;
ne barkun e erret bluan njolla te renda,
komite, pirate, vrau ne tradheti.

Vjega erresiren pjell e rrit,
buzeplasur a e pa goje,veten fsheh;
kur tinez hyn e hap hone ne shpirt,
Tomorri ne prag, ti s’e sheh.

4- Naim Frasheri/

Nga burimi i lajthishtës
tej në Frashër mbi Përmet
mjalti i gjuhës valë-valë
Nëpër faqe,
nëpër fletë

S`mbeti mal pa hyrë në penë
s`mbeti fjalë pa hyrë në varg;
syve hyn e del Atdheu,
. ja Tomorri

Fjalë-fryma që po flasim
Shoshi shekujt madhështori
Shqip –
. Naimit i përkasim !

Gjuha shqipe hodhi shtat
skaj më skaj blerimi i dheut;
dy herë kombi bëri lart,
ndriti pallë e Skëndëbeut.

Nëpër shekuj rrjedh burimi,
nga lajthishta mbi Përmet
maje malesh flet Naimi
Gjuhën shqipe: AMANET…

5- Më fal poezi
U nisa drejt teje në agimin e jetës,

Si fëmijë i larë e i ndërruar.
Ecja shpresat ushqeja: një ditë do të mbërrija tek ti.
Cikloni i tmerrshëm ma mjegulloj rrugën.
Më fal, poezi

 

Në prag të miratimit të ligjit mbi “Reformën në Drejtësi”

$
0
0

Fragment nga romani “Në kerkim të lirisë”/

Nga Reshat  Kripa/

Tashmë   pushteti   kishte   kaluar  në  duart  e  së majtës. Ajo e kishte fituar atë me forcën e  armëve, si dikur pesëdhjetetre vjet më parë

Natyrisht, në këto kushte,  ajo e ndjente për detyrë të shpërblente ata që e kishin ndihmuar të vijnë në pushtet. Kështu Bilalin e emëruan drejtor të një instituti për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Drinin e dërguan si diplomat diku në një shtet të lindjes, ndërsa Fatlumi na doli si një analist dhe komentator politik i përsosur, që jepte mendime në çdo organ shtypi dhe ekran televizioni, si specialist i të gjitha fushave të jetës së përditshme.

Në këto  kushte  ishte  e  pamundur  që  shoqata  të zhvillonte  më tej veprimtarinë e saj. Ndaj Fatosi qëndronte pothuajse vetëm duke menduar për mënxyrën që kishte kllaposur vendin. Nga detyra e drejtorit e kishin shkarkuar dhe tani jetonte vetëm me pensionin e tij. Të njëjtin fat kishin pësuar edhe Hektori  me Dianën.

Me   këto   mendime   rrinte   pranë    ekranit    të televizionit dhe shikonte pa e patur mendjen aty. Po jepeshin lajmet kryesore të ditës. U zgjua papritmas nga haluçinacionet   ku   jetonte   nga  zëri  i  spikeres  që  bëri  njoftimin.

Sot, në mbrëmje  u  vra  nga  persona  të  paditur, pranë   selisë   së   partisë   së    tij, udhëheqës  i   lëvizjes studentore të viteve 90-të (spikerja përmendi emrin e tij), së bashku me shoqëruesin e vet, ndërsa shoqëruesi tjetër mbeti i plagosur rëndë (edhe në  këtë  rast  spikerja përmendi emrat e tyre).  Policia është  vënë  në ndjekje  të vrasësve.

Fatosit iu duk sikur  një  bombë  kishte  shpërthyer në këmbët e tij. Udhëheqësi i studentëve ishte bërë një figurë e njohur në politikën shqiptare. Dy herë më parë u kishte shpëtuar atentateve të kryera dhe pas çdo here    gjëmonte      më     fort    zëri    i    tij    në     mbrojtje     të deokracisë  që  tashmë ishte përdhunuar.

Ai e njihte edhe shoqëruesin e udhëheqësit. Ai ishte biri i një ish të burgosuri politikë, një burrë mjaft serioz dhe korrekt. Ai e dinte se ata i vrau dora e zezë e krimit, dora e pasardhësve të atyre që kishin vrarë dhe burgosur prindërit e tyre, dora e ish-Sigurimit të Shtetit e rivendosur përsëri në pushtet, ndonëse me emër tjetër, atë të partisë socialiste, të asaj partie që  gatoi tmerret e vitit 1997 dhe uzurpoi pushtetin, duke përmbysur me forcë fitoret demokratike të arritura deri atëherë në vend.

Dy ditë tmerri dhe terrori vijuan këtë ngjarje të tmerrshme. Dy ditë të zeza për popullin shqiptar. Ishte vrasja e shekullit. Partia Demokratike i demaskoi menjëherë vrasësit, por organet qeveritare e bënë veshin e shurdhër, se ishin vetë ata që e kishin përgatitur këtë komplot.

Fatosi e shikonte udhëheqësin madhështor në krye të studentëve të Tiranës, për të rrëzuar sistemin e urryer që sundoi për gati një gjysmë shekulli në vendin tonë E shikonte në rrjedhën e atyre ngjarjeve të paharruara të viteve 1991-1997, si një pishtar që ndriçonte për të ndritur rrugën e demokracisë. Por me një madhështi më të madhe e shikonte pas ngjarjeve tragjike të atij viti të zymtë. E shikonte madhështor të endej nga një qytet në tjetrin për t’i treguar njerëzve se vazhdonte të jetonte dhe të luftonte për rivendosjen e demokracisë së përdhunuar. Një gjë e tillë nuk kishte se si të mos binte në sy të kriminelëve që i ngritën disa kurthe dhe prita. Fatosi kujtonte ngjarjet e Tropojës, Milotit dhe sidomos atë të parlamentit, ku plumbat e një vegle qorre të Sigurimit e plagosën rëndë, por  që për fatin e tij nuk mundën t’ia merrnin jetën. Ai kishte parasysh figurën e tij heroike në parlamentin shqiptar, pas daljes nga spitali, me duart e kryqëzuara lart ku, pa iu dridhur qerpiku, u çirrte maskën  mafiozëve, autorëve kryesorë të masakrës së vitit 1997. Ndaj e vranë. E vranë pabesisht ashtu siç ishin mësuar prej kohësh, ashtu siç kishin vrarë prej kohësh.

Së bashku me të vranë edhe besnikun e tij. Ai ra për të mbrojtur mikun. Ranë që të dy njëri pranë tjetrit, të lidhur pazgjidhshmërisht edhe në vdekje. Familjes së shoqëruesit, një familjeje fisnike nga veriu i vendit, nuk i kishin mjaftuar përndjekjet e të atit, një malësori të urtë dhe të ndershëm. Nuk i kishin mjaftuar kaq vite vuajtjesh të pashembullta nën regjimin diktatorial ku, me gjithë varfërinë e tejskajshme, asnjë herë nuk e kishte ulur kokën, por kishte qëndruar gjithmonë ashtu siç i ka hije një malësori dhe familjeje krenare. Ajo duhej goditur atje ku i dhimbte më tepër. Dhe ky ishte biri i tij i mirë, i urtë dhe besnik deri në vdekje. Kjo ishte tradita e trashëguar nga prindërit dhe krahina e tij e nderuar. Dhe ai diti t’i ruajë ato me nder. Ai u vra se i përkiste një familjeje tradicionalisht të lidhur me  Mbretin  Zog  dhe  Partinë  Lëvizja  e Legalitetit.

Dita   e   nesërme.   Kryeqyteti   zjente.   Revolta popullore për vrasjen mizore shfaqej nëpërmjet manifestimit paqësor të popullit, nëpër rrugët e kryeqytetit.  Me këtë manifestim ata donin që t’i jepej fund njëherë e mirë vrasjeve barbare që kishin filluar në vendin tonë, nën ombrellën qeveritare. Manifestuesit as nuk dogjën dhe as nuk vranë, as hapën depot e armatimit dhe as rrëmbyen armët, siç kishin vepruar komunistët një vit më parë.   Megjithatë u vranë. U vranë se ishin demokratë. U vranë se ishin të përndjekur politikë nga diktatura. Në këtë manifestim paqësor, krahas dhjetra të plagosurve, qëllohet për vdekje Lulzimi, biri i nacionalistit të njohur Saimirit, një oficer i lartë që kish mbaruar studimet e larta në Torino të Italisë, vrarë edhe ky në ditët e zeza të nëntorit të vitit 1944. Vrasja e Lulzimit u krye me snajper nga godina e Kryeministrisë. Ishte një vrasje e paramenduar. Pasi kishin vrarë disa nga krerët e asaj organizate atdhetare, që për parullë kishte: “Puna jonë në robëri është Lufta. Lufta jonë në liri është Puna”, filluan   të   vrasin   edhe   bijtë   e   tyre.

Kaloi dhe një ditë  tjetërZhvillohej  ceremonia  e varrimit të martirëve. Pas mbarimit të mitingut të përmortshëm, turma drejtohet me arkivolët drejt Kryeministrisë, shkaktares së kësaj masakre. Përsëri krisma. Në rrugë kundër popullsisë shfaqen edhe tanket. Popullsisë nuk i mbetet tjetër veçse të ngrihet në revoltë. Por thirrja e burrave të urtë të kombit, që nuk donin më të derdhej gjak, që donin që gjithçka të zgjidhej me ndihmën e arsyes, e qetësoi turmën e irrituar.

Mbrëmja e asaj dite. Ora 20.oo. Genti,  i këputur nga lodhja e asaj dite të përgjakur, po kthehej në  shtëpi. Jo  më   shumë se dhjetë metra larg Ministrisë së Rendit, tre plumba kriminelësh e qëlluan. Ai  u  rrëzua për tokë. Ishte vetëm. Askush nuk guxoi t’i afrohej. Ndoshta e lanë ashtu  qëllimisht  për  gati njëzet minuta. Pastaj e  shpunë  në  spital  ku  ndërroi  jetë.  Pesëdhjetëvjet më parë i kishin vrarë edhe të atin. Gjakpirësit siç duket nuk ishin ngopur me gjakun e tij  por kërkonin edhe atë të të birit.

Në morg me Gentin, ishte dhe një kufomë tjetër. Ajo mundi të identifikohej vetëm pas dy ditësh nga e motra. Ishte Aliu nga Macukulli, një i përndjekur politikë nga regjimi i Enver Hoxhës. Kishte ardhur në Tiranë për të shpërndarë ftesat e dasmës që do të zhvillohej pas një jave.  Por nuk mund të mos merrte pjesë në varrimin e martirëve. Dhe u   vra. Në  Macukull  këngët  e  dasmës  u  përzjenë  me  vajin  e  vdekjes.

Kështu ranë martirët e atyre  ditëve  të  tmerrshme. Ata ranë për t’u përjetësuar në këngët dhe historitë e këtij kombi. Ata do të mbeten gjithmonë të pavdekshëm në kujtesën e popullit. Por kjo nuk mjafton. Gjaku i tyre kërkon drejtësi. Vrasësit dhe urdhëruesit enden të lirë rrugëve të vendit. Disa prej tyre mund të jenë në organet legjislative apo të drejtësisë. Ka ardhur koha e vënies  në vend   të  drejtësisë  së  vërtetë.  Dhe  Fatosit i dukej  sikur dëgjonte thirrjen e tyre:

– Duam drejtësi!

Këto mendonte  Fatosi në ato çaste. Para syve i doli një ngjarje që  i  kishte  ndodhur  në  vitin  e  parë   të fitores së demokracisë:

Po nxitonte për të shkuar  në  zyrë. Papritmas i kishte dalë para toger Ademi, ish-operativi i sigurimit që kishte pasur në kampin e punës së detyruar. Qëndroi dhe po e vështronte. Ai, me një buzëqeshje të shtirë, i zgjati dorën. Fatosi ndjeu neveri për atë dorë të përgjakur         

– Ç’kërkoni? – i tha  ftohtë.

– Nuk ishte faji i ynë – u pergjigj ai duke parë qëndrimin e tij. – Ishte i sistemit  që na bëri të tillë. Nuk kishim rrugë tjetër. Hymë në valle dhe nuk dilnim dot. Ato ligje ishin dhe ne ishim të detyruar t’i zbatonim.

Fatosi nuk po e dëgjonte. Para syve i dilte një skenë mizore që lidhej drejtpërdrejt me të dhe të cilën nuk mund ta harronte kurrë. Ndaj pendimi i tij ishte  falso dhe ai nuk mund ta besonte. 

Ishin në kampin e Bulqizës. Ishte dimër. Binte borë. Acari të thante fytyrën. Sapo ishin kthyer nga puna të rraskapitur dhe prisnin t’u sillnin lugën e supës me qepë, me të cilën mbanin shpirtin gjallë. Ai hyri në kapanon dhe duke iu drejtuar një djaloshi nga Mirdita, i tha me egërsi:

– Përse nuk e realizove normën?

– Isha i  sëmurë,  zoti  toger! –  u  pergjigj  djaloshi me gjysmë zëri.

            Nuk e la të mbaronte fjalën. E  rrëmbeu  me  forcë dhe duke e hequr zvarrë, e përplasi përjashta në borën që vazhdonte të binte. Filloi ta godiste ku të mundte me kamxhikun që mbante në duar. Pastaj, duke e tërhequr gjithmonë zvarrë, e mbylli në një nga birucat e caktuara për këtë qëllim.

Kur u err dikush i çoi një copë buke. Nuk e kish mbaruar ende, kur ia behu krimineli. Sapo e pa, filloi ta godiste përsëri me kamxhik, duke kërkuar t’i tregonte se kush ia kishte dhënë copën e bukës. Djaloshi nuk tregoi. Atëherë dha urdhër ta lidhnin në një shtyllë telefoni që ndodhej afër kapanoneve. Caktoi edhe dy roje për të mos lejuar njeri t’i afrohej. Ishte thëllim. Binte borë. Fatosi dhe shokët e tij dëgjonin rënkimet e tij të mbytura dhe nuk ishin në gjendje ta ndihmonin. Tërë atë natë nuk mbyllën sy duke dëgjuar rënkimet e tij. Diku afër mëngjesit ato pushuan. Mirditori trim kishte ndërruar jetë.   Nuk   i   kishte  mbushur  ende  te  shtatëmbëdhjetë vjetët.

-Shpormu nga sytë! – thirri Fatosi sapo kaloi vegimi që iu shfaq.  Por krimineli  e  kishte  kuptuar  me kohë  dhe ishte zhdukur. Fatosi ndjeu  një   tronditje   të thellë  brenda vehtes

Në atë kohë iu kujtua një film gjerman  që  kishte parë në fëmini. Ishte një prodhim i pasluftës dhe titullohej ‘’Vrasësit janë midis nesh‘’. Në qendër të filmit ishte një mjek nazist që në të vërtetë ishte mishërimi i mizorisë. Në laboratorët e tij kishte kryer eksperimente nga më të përbindëshmet për torturimin dhe  shfarosjen e njerëzve. Pas mbarimit të luftës edhe atë, si  shumë të tjerë, e kishin çuar në bankën e të akuzuarve.

Kishin kaluar vite që atëherë. I kishte harruar pothuajse të gjitha skenat e  filmit. Vetëm njëra i kujtohej, finalja e tij. Mjeku i kapur me të  dy  duart  pas hekurave të burgut  thërriste:

            – Jam i pafajshëm! Jam i pafajshëm!

Ndërsa   në   sfond   prapa  tij,  si  përgënjeshtrim, shfaqeshin torturat, pushkatimet, varrosjet për së gjalli, djegiet në dhomat e gazit që ai kishte projektuar. Një skenë e paharruar.  Një zgjidhje e përkryer regjizoriale.

 

Duke kujtuar këtë  Fatosit iu duk sikur i përjetonte ende ato ditë dhe thirri me zë të lartë:

– A ka vrasës midis nesh? Cilët janë ata?

Njerëzit rreth e rrotull qëndruan dhe po e vështronin. Ai, i zhytur në  ëndërrimet  e  tij, duke  mos  e kuptuar se ku ndodhej, u kthye drejt tyre dhe vazhdoi:

– Po. Janë hetuesit dhe  ish-punonjësit  e  Sigurimit të Shtetit. Janë prokurorët dhe gjykatësit e pashpirtë që mbartin në ndërgjegjen e tyre qindra dhe mijëra të vrarë e të vdekur nëpër burgje, të cilëve nuk u dihen as varret. Janë spiunët e sistemit që presin rastin për të dalë përsëri në dritë dhe për të groposur përsëri njerëz të tjerë. Përse nuk vepron drejtësia? Përse nuk dënohen?

Dikush nga turma bëri një shenjë që  tregonte  se ligjëruesi nuk  duhej  të  ishte  mirë  nga mendtë. Ridvani, që u ndodh aty pranë, e kapi për krahu dhe e tërhoqi. Fatosi u përmend.

– Thashë ndonjë gjë? – pyeti.

– Jo, jo, – u përgjigj ai, – ejani të shkojmë.

U nisën. Kur mbërritën në shtëpi, Ridvani e pyeti:

– Përse shpërtheve ashtu?

– Mora vesh lajmin mbi vrasjet e kryera në Tiranë dhe m’u kujtua se disa vite më parë kisha takuar ish-operativin tim të Sigurimit. Ai ishte munduar të më kërkonte ndjesë. Atëherë m’u kujtua një ngjarje e dhimbshme që zor se mund të harrohet. Para syve më doli fytyra e shtatëmbëdhjetëvjeçarit që i mbylli sytë i lidhur në shtyllën   e   telefonit,  në   atë  natë  të  acartë  dimri,  në  kampin e Bulqizës. M’u veshën sytë. M’u duk vetja sikur isha ende në kamp. Harrova që  isha  në  rrugë.  Nuk munda të duroja më dhe shpërtheva.

– Por koha e atyre tashmë ka perënduar.

– Jo, i dashur mik, ata jane gjallë. Sot  janë  një  lloj  tjetër vrasësish,  më  të  rrezikshëm  dhe  më

kriminelë se të parët. Janë ata që, ndonëse janë të veshur me petkun e demokratit, presin ditën e nesërme për t’i ngulur thikën pas shpine demokracisë së brishtë që po ndërtohet. Po të shohësh mirë, ata mund t’i gjesh kudo. Mund t’i gjesh në partitë politike, në shoqatat, madje edhe në parlament. Në vend të ndëshkimit të merituar ata sot bredhin lirisht, duke derdhur helm në ndërgjegjen e njerëzve.

– A ka mundësi?

– Po, ata i gjen kudo duke u ngjirur dhe  thërritur si mjeku gjerman: “Jemi te pafajshëm! Jemi të pafajshëm! Fajin e kishte sistemi i përmbysur”! Sikur  të mos kishin qenë  këta njerëz të pamoral  që e mbajtën gjallë atë sistem i cili nuk do të qëndronte dot më këmbë për gati një gjysmë shekulli.

– Po përfundimi?

– Nuk e di. Kush   pra   qenka   fajtori   për   gjithë   këtë katrahurë që ka mbuluar vendin? Kush është fajtori? Mos vallë qenkemi ne që e paguam me jetët tona?

Ridvani nuk  u  përgjigj. Nuk  ishte  në  gjendje  të gjente fjalë për t’u  përgjigjur.  Qëndroi  edhe  pak  dhe pastaj u largua.

CIKLI I NOBELISTEVE- ERIK AXEL KARLFELDT, NOBELISTI I VITIT 1931

$
0
0

NOBELISTI  VIII-  1931/

Ne Foto:Erik Axel Karlfeldt 1864 – 1931 NOBEL 1931/

 Erik Axel Karlfeldt (Avesta, 20 korrik, 1864 – Stockholm, 8 prill, 1931) ishte një poet suedez. Në vitin 1931, menjëherë pas vdekjes së tij ai u nderua me Çmimin Nobel për Letërsi, Ai e kishte refuzuar (duke qenë një anëtar i Akademisë) në vitin 1918._________________

MOTIVACIONI

“poezia e Erik Axel Karlfeldt”

______________________________________________

 MAGJISTARE 

 Kur nata nebulozë është gri

si argjili dhe me avuj të lagshtë,

shtriga shtatzëne vesh

veladonin e saj dhe del

jashtë derës fshehurazi; zvarritet

përreth shtëpive rakitike, kasolleve;

midis tufave nguruese të barit gjethedielli,

mes xhufkave të çikoçelëve dhe graminaçeve.

Pastaj kthehet dhe përmbytur nga një napë e lagur

shtrydh vesën në një kupë.

 

 

 

NOBELISTET-PIRANDELLO, NOBELISTI I IX

$
0
0

NOBELISTI  IX  1931/         

NE FOTO:LUIGI PIRANDELLONOBEL 1934/

Luigi Pirandello (Girgenti, 28 qershor, 1867 – Romë, 10 dhjetor 1936) ishte një dramaturg, shkrimtar dhe poet italian, i nderua me Çmimin Nobel për Letërsi në vitin 1934. Për prodhimin e tij, çështjet që shqyrtohen dhe inovacionit të rrëfimit teatror  konsiderohet ndër dramaturgët më të mëdhenj të shekullit të njëzetë. Ndër veprat e tij spikasin  disa romane dhe tregime të shkurtra  dhe rreth dyzet drama , e fundit prej të cilave jo e plotë.

MOTIVACIONI:

«për guximin e tij dhe përfaqësimin e zgjuar  të artit dramatik dhe teatral»/

GLOBI

Ja globi: një top kartoni,

që  rrotullohet rreth një boshti të brendshëm.

Rrotullohet…pista me ngjyra të ndryshme

synon kufirin e vet, të çdo kombi.

 

 Ky, është Oqeani Atlantik; dhe është det

sa i kaltër duket. Kjo masë dallgësh

këtu janë malet: Alpet. Roma

është kjo pikë që duket e s’duket.

 

Kush do ta dallonte në shikim të parë? Megjithatë

ka njerëz të mëdhenj, madje të pavdekshëm,

në këtë lodërzë ; të këqija të mëdha

dhe të mira të mëdha dhe dashuri të mëdha dhe përkujdesje…

 

Prandaj unë e mbaj atë në duar,

e rrotulloj me një gisht.

Lojë e marrë! I japim fund?

Përgatit katastrofën e botës për nesër.

Përktheu: Faslli Haliti

NOBELISTET-NOBELISTI X 1945, GABRIELA MISTRAL

$
0
0

  Ne Foto: Gabriela Mistral (poete kiliane, 1889-1957)/
Gabriela Mistral është pseudonimi i Lucila Godoy Alcayaga, poeteshë kiliane- diplomate, edukatore dhe feministe e cila ishte e para grua Latino- Amerikane e cila fitoi çmimin Nobel në letërsi në vitin 1945. 
Lindi: 7 prill 1889 Vicuña, Kili
Vdiq: 10 janar 1957
në Hempstead, New York, të Shteteve të Bashkuara 

_____________________________________

MOTIVACIONI

“për lirikën e saj, të frymëzuar nga emocione të forta, që e ka bërë emrin e saj një simbol të aspiratave idealiste të të gjithë botës së Amerikës Latine”

_______________________________________

 GJËRAT

Dua gjërat që nuk i pata kurrë,

të tjera që nuk i kam më;

prek një ujë të qetë,

shtrirë mbi livadhe të ftohtë,

që pa erë dridhëronte

në një kopsht që ishte kopshti im.

E shoh siç e shihja;

më vjen një mendim i çuditshëm

dhe luaj lehtë me këtë ujë

si me peshk apo mister.

PARAJSË 

Hapësirë shpirti prej ari
dhe në të shtrirët e artë
dy trupa si sfera ari;
një trup i famshëm
që dëgjon, një trup
i famshëm që flet  nëpër livadh,
në të cilin asgjë nuk flet;
një frymëmarrje që vete në një tjetër frymëmarrje
dhe një fytyrë që dridhet prej saj,  në një livadh, ku asgjë s’dridhet.
Sjellin ndërmend kohën e trishtuar
në të cilën të dy kishin Kohë
dhe prej saj jetonin
të pikëlluar,
në orën e gozhdës së artë
në të cilën Koha ngriu
në prag
si qen endacak. …

 

AMAREPASSIONEPOESIASENSO DELLA VITA

MË JEP DORËN DHE NE DO TË VALLËZOJMË

Më jep dorën dhe do biesh në dashuri

si një lule e vetme do të jemi

si një lule e vetme e asgjë më shumë.

Të njejtin varg do të këndojmë

me të njëjtin ritëm do të vallëzosh

Si një kalli do të dallgëzojmë

si  një kalli asgjë më shumë.

Ti quhesh trëndafil dhe unë shpresë

por emrin tënd ti do ta harrosh

sepse ne do të jemi një valëzim

mbi kodër dhe asgjë më shumë.

 Përktheu: Faslli Haliti

 

 

“DOKTOR GJIL{ERA”, ROMANI I PARË REALIST I LETËRSISË SHQIPE

$
0
0
(Vlerësim për romnin “Doktor Gjilpera”  të Faik Konicës). Botohet me rastin e “Vitit të Faik Konicës”, shpallë nga Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA”/
Nga Thanas L. GJIKA/
Faik Konica, ky personalitet i shumanshëm i kulturës shqiptare përveç morisë së madhe të artikujve, analizave, polemikave, eseve, skicave, përshkrimeve, portreteve, poezive dhe përkthimeve në poezi e prozë, ka shkruar e botuar në shqip dhe një roman me titull Doktor Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurasit (më tej Doktor Gjëlpëra…). Me aq sa e njohim krijimtarinë letrare të Konicës deri sot, ky roman përbën veprën e tij më të gjatë e më të rëndësishme artistike. Themi me aq sa e njohim krijimtarinë letrare të Konicës, sepse vepra e tij letrare nuk është zbuluar ende plotësisht. Në vitin 1995 botuam në gazetën Rilindja të Tiranës shqetësimin tonë për faktin se Faik Konica kishte rrezik të mbetej pak i njohur dhe se duheshin bërë sa më parë kërkime në fondet e kishës së Shën Gjergjit, si dhe kudo tjetër ku mund të ruheshin fondet e dorëshkrimeve të tij1. Mirëpo deri më sot nuk kemi dëgjuar ose lexuar se janë bërë kërkime të tilla as në fondet e Kishës Shën Gjergji, as në fondet e shoqërisë Vatra, as në Departamentin e Gjuhëve dhe Letërsive Sllave të Universitetit të Chikago-s, ku z-nja Sara Panariti dërgoi fondet e bashkëshortit të saj, Qerim Panaritit, i cili ruante dhe dorëshkrime të Konicës. Kështu, të dhënat që kishim mbledhur për njoftimet e veprave të pabotuara të Konicës deri në vitin 1923, kanë mbetur në vend numëro. Të tilla vepra janë katër:
1Kondili i kuq2, një përmbledhje me shkrime të shkurtëra në prozë.
2Mustaqet3, komedi me një akt.
3Tryeza e fshirë – një përrallë sociale dhe filozofike4., e cila kuptohet se ka qenë një vepër e gjatë në prozë, ashtu si Doktor Gjëlpëra…
4. Themelet e gjuhës shqipe5, një studim sintezë e Konicës në fushën e gjuhës shqipe. Për këtë vepër nuk kemi qenë e nuk jemi të qartë nëse autori e kishte përfunduar në 8 mars 1924, kur dha njoftimin në gazetën Dielli, apo po vijonte ta shkruante dhe do ta përfundonte kur vatranët të mblidhnin paret për ta botuar6.
* * *
Romanin Doktor Gjëlpëra… Konica e botoi si nënfletë letrare të ndarë në 21 pjesë në gazetën Dielli nga 16 gushti deri 25 dhjetor të vitit 1924. Sqarimin se kur e shkroi autori këtë vepër dhe a ishte ajo një vepër e mbaruar kur filloi të botohej, apo po hartohej gjatë botimit të pjesëve, mund ta nxjerrim prej këtij shënimi që ka botuar editori i gazetës Dielli më datën 29 korrik 1924, para se të fillonte botimin:
Doktor Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurasit.
Me titullin e mësipërm Faik Konica, tre muaj më parë, shkruajti një përrallë të cilën pastaj nuk e pa të nevojshme ta botojë. Disa vatranë që e panë e këshilluan përsëri e përsëri ta japë në shtyp. Zoti Konica vendosi t’u bëjë qejfin atyre vatranëve dhe do të nisë ta botojë përrallën në numër të afërm të Diellit7.
Duke ditur se editor i gazetës Dielli për numërat 1661-1818 ishte Bahri Omari, ky shënim kuptohet se është formuluar prej tij dhe se ai ishte një nga ata vatranët që e kishin lexuar krejt veprën dhe e kishin këshilluar disa herë Konicën që ta botonte atë. Editori i gazetës na njofton se Konica e kishte shkruar tre muaj më parë, pra që në fund të prillit, ose fillim të majit 1924. 
Për nga lloji letrar kjo vepër i përket prozës së gjatë, konkretisht gjinisë së romanit. Për nga ngjarjet që pasqyron, në se ato janë ngjarje të jetuara apo të krijuara prej fantazisë së autorit, kjo vepër i përket veprave fiction, pra veprave me ngjarje të krijuara prej fantazisë së autorit. Konica dhe editori i gaztës Dielli duke e quajtur përrallë veprën Doktor Gjëlpëra… nënkuptonin karakterin fiction të saj. 
Për nga problematika dhe karakteri i trajtimit të problemeve, ky roman i përket veprave social satirike. Për nga metoda krijuese, pra për nga mënyra se si i thurr autori e si i rrëfen ngjarjet dhe si i krijon personazhet, kjo vepër i përket metodës së realizmit kritik. Me pak fjalë themi se Doktor Gjëlpëra … është një roman realist satirik me problematikë shoqërore. Si i tillë ky roman është vepra e parë e llojit në prozën e gjatë letrare shqipe. 
Mbas vitit 1992 kjo vepër u botua disa herë, por studimet dhe vlerësimet për të ende nuk kanë arritur të japin përcaktime përfundimtare përsa i përket vlerave, vendit dhe rolit që ajo luajti në krijimtarinë e aurotit dhe në procesin e zhvillimit të prozës letrare shqipe. 
Në qendër të veprës Konica ka vënë një shqiptar të ri nga diaspora, djaloshin me emrin Gjëlpëra i cili pasi përfundoi studimet e larta universitare për mjekësi në qytetin Upsala të Suedisë erdhi në atdhe. Me emrin e heroi Konica paralajmëron se ai është një person që do të gërmojë e çpojë për të zbuluar rrënjët (shkaqet) e vrasjes së dy amerikanëve, ngjarje që ndodhi në Mamurras në vitin 1923. Djaloshi erdhi të shërbente si mjek për të ndihmuar në procesin e ringjalljes së atdheut në fillim të viteve 20-të të shek XX.
Ngjarjet në këtë roman shtjellohen ndryshe nga romanet ku ngjarjet shtjellohen në disa linja të cilat herë takohen e herë largohen nga njëra tjetra dhe ku heroi i veprës herë është i pranishëm herë jo. Në romanin e Konicës ngjarjet nuk shtjellohen në vija lineare. Të gjitha ngjarjet këtu shtjellohen duke e pasur të pranishëm heroin, i cili është gjithnjë në qendër të tyre si katalizator që ndihmon për shtjellimin e ngjarjeve.
Forma e thurrjes së subjektit të këtij romani i ngjan rrathëve koncentrikë që krijohen kur bie një gur në ujë, rrathë që vijnë duke u zmadhuar, por që nuk e ndërpresin njëri tjetrin. Personazhi kryesor duke u ndodhur në qendër të subjektit, pra në qendë të çdo rrethi, ka lidhje me të gjitha ngjarjet, të cilat shtjellohen njëra pas tjetrës pa u ndërthurrur midis tyre. Doktor Gjëlpëra është gjithnjë pjesëmarrës dhe vëzhgues e nxitës i ngjarjeve.
Ky lloj kompozicioni na kujton kompozicionin e romanit Shpirtra të vdekur të shkrimtarit të talentuar rus Nikolla Gogol. Në letërsinë tonë të mëvonshme thurrja e kompozicionit të veprës në formë rrathësh koncentikë u përdor prej shkrimtarit Ismail Kadare në romanin Gjeneral i ushtërisë së vdekur. Në vitin 1963-1964 kur Kadareja hartoi këtë roman, mendojmë se ai nuk e njihte romanin e Konicës dhe forma e njëjtë e ndërtimit kompozicional të dy veprave të tyre ka qenë e rastësishme, që ka buruar thjesht prej përpjekjeve të sejcilit autor në fushë të formës për të gjetur thurrjen më të përshtatshme të kompozicionit të veprës. 
Me këtë vepër Konica u përpoq të demaskonte qeverinë shqiptare të paraqershorit 1924. Në pjesën që u botua si pjesë e fundit nuk ëshë dhënë asnjë sqarim në se vepra do të vijonte, apo mbaroi aty. Duke mos u shënuar në mbarim të pjesës së fundit që u botua më 25 dhjetor 1924 fjala FUND, studjuesit para nesh e kanë quajtur këtë vepër një novelë të pambaruar. Edhe studjuesi Jup Kastrati në monogrsfinë e tij e ka quajtur novelë e pambaruar, e papërfunduar, e pakryer8.
Në pjesët që janë botuar mund të themi se ideja kryesore e romanit është e shpalosur plotësisht: Shqipëria edhe pse është një shtet i pavarur e gjeografikisht në Europë,për nga mentaliteti dhe zhvilimi ekonomik është larg së qeni vend europian. Që të bëhet shtet europian asaj i duhej të kryente transformime të mëdha në mentalitetin e banorëve dhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik
Autori, duke e zgjedhur heroin e veprës midis kuadrove shqiptarë të formuar në një universitet me emër të Europës, pra një shqiptar me nivel profesional të nivelit më të mirë europian, do të thotë se populli shqiptar kishte aftësi mendore të barabarta me popujt e tjerë të kontinentit mëmë. Ekzistenca e ndryshimeve të mëdha midisshqiptarëve që jetonin në atdhe dhe evropianëve të tjerë, nuk ishte për faj të tyre. Faji do të binte mbi ta e sidornos mbi drejtuesit e shtetit të tyre në rast se do vijonin të qendronin në atë batak vesesh e sëmundjesh, në atë mentalitet anadollak e atë varfëri të skajshme, të trashëguar nga zgjedha e gjatë osnane.
Mendimi, sipas të cilit, me këtë vepër Konica shprehu mosbesimin e tij të thellë ndaj popullit shqiptar, i cili paraqitet si forcë e paaftë për të marrërrugën e përparimit9është krejt i gabuar dhe tendencioz. Ky mendim është shprehje e një qëndrimi të politizuar që e paragjykonte Konicën dhe veprën e tij pa u mbështetur në analiza shkencore. Ky vlerësim është ndrequr në botimin e ri të Fjalori Enciklopedik Shqiptar, të vitit 200810.
Përmes vizitës që bën doktor Gjëlpëra në atdhe, autori ka ngritur një varg problemesh jetike të shoqërisë shqiptare të viteve 1921-1924. Ai ka shpalosur veset morale, akraballëkun, korrupsionin, mungesën e higjenës personale, patriarkalizmin, krimin e organizuar, etj, të cilat nënkuptohet se duhen luftuar për të shpëtuar nga gjendja mbytëse.
Rrethi i parë i subjektit zhvillohet në zyrat e doganës në Durrës. Nëpunësit dhe policët e asaj dogane, të cilët janë të parët bashkatdhetarë që takon heroi nëtruallin shqiptar, i mësojnë atij se që të mbarojë punë i duhet të japë rushfet, që ata e quajnë “dhuratë”.
Rrethi i dytë i ngjarjeve zhvillohet në Tiranë. Që ditën e parë që doktor Gjëlpëra mbërriti në kryeqytet, e lidhin me shoqërinë e fshehtë “Kamora”, së cilës ai duhej t’i paguante kuotat përkatëse, sepse vetëm kështu mund të lejohej të bënte punën për të cilën kishte ardhur, pra të hapte klinikën mjekësore për t’i shërhyer popullit të tij. 
Rrethi i tretë i ngjarjeve zhvillohet po në Tiranë në kafenenë me emrin Erzeni. Këtu heroi në kontakt me bashkatdhetarë të tjerë, midis të cilëve pa dhe njohu njerëz të palarë, të parruar, fytyrëverdhë, kumarxhinj fytyrëngrysur, spiunë syçakej, politikanë që bisedonin pa takt, të cilët më shumë komunikonin me gjeste sesa me fjalë. Ai njohu dhe kolegë të profesionit të vet, doktor Emrullahun dhe Protagora Dhallën, të cilët ishin përfaqësues të intelegjincës shqiptare filoloturke dhe filogreke. Këta mjekë me diploma të vjetëruara ishin admirues të profesorëve të tyre të dikurshëm. Që kur ishin diplomuar ata nuk kishin lexuar asgjë nga tërejat e shkencës mjekësore, madje dhe nga doktor Gjëlpëra nuk donin të mësonin diçka të re, por vrisnin mendjen si e si ta ruanin klientelën e tyre se mos ua merrte ky mjek i ri me formim bashkëkohor.
Njohja e botës shqiptare zgjerohet më tej në rrethin e katër të kompozicionit, ku doktor Gjëlpëra prezantohet me Ministrin e Brendshëm, me Salembozën. Ky ishte njëherazi dhe kryetari i shoqërisë së fshehtë “Kamora”. Salemboza përfaqëson shtresën më të lartë të nëpunësve shqiptarë anadollakë të para përmbysjes së qershorit 1924. Përkshkrimit të figurës së Salembozës i është kushtuar kujdes i veçantë nga ana e autorit, sepse atë ai do ta shfrytëzojë si kyç për zbërthimin e intrigës së veprës. Figura e këtij ministri injorant, por ambicioz jepet përmes ndërtimit të disa episodeve që autori i trajton përmes satirës e ironisë.
Ministri i Brendshëm hiqet si njeri me kulturë, i fisëm dhe i denjë për postin e lartë që mbante, në një kohë që autori përshkruan trupin e tij rakitik, gojën me dhëmbë të krimbur që i bien ere të rëndë. Nga ana tjetër ai shpreh dëshirën e tij për t ‘i marrë mysafirit, gjoja si kujtim, orën e xhepit dhe stilografin. Të tilla detaje tregojnë se ky nëpunës i lartë është e kundërta e asaj që pretendon se është. Demaskimi i tij thellohet më tej përmes episodeve qesharake që i krijon autori duke treguar se Salemboza kërkon të dëgjojë për jetën e princërve të Evropës me qëllim që të gjente diçka të ngjashme në veshjet dhe lëvizjet e tyre me të vetat. Sipas tij ngjashmëria e jashtme me ta do ta bënte atë të ndjehej më fisnik. Kur ai mësoni se princi i Suedisë, kur mendonte kishte zakon të kruante lehtë ballin me gishtin tregues tëdorës së majtë, e bëri të vetin këtë gjest dhe filloi të kruante në sy të doktor Gjëlpërës ballin e vet, sa herë donte të tregonte se po mendonte, madje këtë lëvizje filloi ta bënte edhe kur ishte mbi kalë.
Po kaq qesharak bëhet ky personazh edhe gjatë vizitës mjekësore që i bëri doktor Gjëlpëra. Si injorant që ishte ai ka turp të zhvishet para doktorit. AtëhereGjëlpëra i tregoi se princi i Suedisë zhvishej pa drojtje para mjekut të vet dhe Salemboza, i shtyrë nga majmurnëria e vet, nisi t’i zhvishte e t’i flakte rrobat e veta me shpejtësi sa majtas djathtas, pa kuptuar se edhe kështu dëshmonte mungesën e kulturës së tij.
Rrethi vijues i ngjarjeve zhvillohet nga kontakti i doktor Gjëlpërës me Muhedin Again dhe Zylfikar Again, përfaqësues të parisë feudale të kryeqytetit. Antibejllëku i vjetër i Konicës shpërthen këtu përmes përshkrimit të ngjarjeve dhe bisedave, me të cilat ai zbulon injorancën dhe prapambetjen e këtyre pronarëve të mëdhenj tokash. Këta agallarë vlerësohen prej autorit me po atë qëndrim ironik me të cilin ai vlerësoi figurën e Salembozës.
Muhedin e Zylfikar Agai janë krijuar si përfaqësues tipikë të bejlerëve shqiptarë të lidhur me mentalitetin osman, për nga mënyra e të menduarit, nga mënyra e të jetuarit dhe nga çdo pikëpamje. Dhjetë vjet pas shëmbjes së Perandorisë Osmane, fanatizmi, diallëzitë dhe injoranca e asaj ngrehine të kalhur vijonin të përbënin thelbin e mentalitetit e të jetës së aristokracisë së kryeqytetit shqiptar. Ata janë njerëz pa ideal, njerëz që i kishin kthyer kurrizin qyteterimit europian. Ata nuk mund ta besonin dëshirën e sinqertë të doklor Gjëlpërë për të blerë një copë tokë ku të ndërtonte klinikën e tij e t’i shërbente popullit si mjek. Sipërfaqja e tokës që dëshironte të blinte doktori u dukej shumë e madhe për të ndërtuar vetëm një klinikë me oborr e kopësht. Të nxitur nga psikologjia e tyre e djallëzuar, ata mendojnë se ai po i gënjente, se në atë tokë ai nuk do të ndërtonte një klinikë, por do të hapte puse për të nxjerrë naftë, ose një minierë për të nxjerrë flori. Duke qenë njerëz të djallëzuar e hileqarë, ata në biseda pazari gjithënjë mendonin si e si t’ia hidhnin tjetrit duke e fshehur qëllimin e vërtetë. Për këtë arësye ata nuk mund ta besonin që bashkëbiseduesi po u thoshte të vërtetën, prandaj me fantazinë e tyre sajuan idenë se nëntoka e tyre kishte naftë ose flori dhe blerësi do të pasurohej shumë shpejt prej tokës së tyre. Kështu në mendjen e tyre shpërtheu zilia dhe nuk donin ta përfundonin pazarin…
Konica i paraqit ata edhe më hileqarë e më të prapambetur në marrëdhëniet e tyre familjare. Ai i vë në lojë gjatë përshkrimit të skenës së vizitës mjekësore që i bën doktor Gjëlpëra gruas së sëmurë të Zylfikar Agait. I zoti i shëpisë, bashkëshorti i të sëmurës, nuk mund ta lejonte doktorin që ta vizitonte gruan e tij duke e pasur përpara syve. Ai duhej ta kryente vizitën mjekësore duke qëndronte prapa derës prej ku mund ta pyeste e t’i merrte përgjigjet e saj pa e pasur të sëmurën ballë për ballë.
Mbas përshkrimit të këtyre skenave vepra nuk vijoi të botohej më. Në fund të kësaj pjese nuk u shënua fjala FUND. Lexuesi mbetet i paqartë nëse vepra përfundoi aty, apo do të vijonte edhe me skena të tjera ku mund të përshkruhej dhe vrasja e dy amerikanëve në Mamuras, ngjarje që në fakt u bë nxitja kryesore për hartimin e romanit.
Dëbimi i qeverisë Noli dhe rikthimi më 24 dhjetor 1924 i Ahmet Zogut, ish Ministri i Brendshëm i qeverisë së Xhafer Ypit (1922-1923), duket sikur është shkaku që romani nuk vijoi të botohej më tej. Ahemt Zogu si prototip i ministrit të djallëzuar duket qartë se e kishte frymëzuar Konicën për të krijuar personazhin e Salembozës. Ndërkohë shpallja që bën autori se Salemboza ishte i lidhur me organizatën e fshehtë Kamora, madje se ishte drejtues i fshehtë i saj, nënkupton se autori mendonte se ky ishte nxitësi i vrasjes së dy amerikanëve në Mamuras. Këtë mendim Konica e kishte shprehur në dy artikuj në gazetën Dielli disa javë pasi ndodhi ngjarja. Pra ardhja në pushtet e Ahmet Zogut mund të ishte shkak për mosvijimin e botimit të romanit. Ky ka qenë arsyetimi i studjuesve që e kosideruan veprën si një novelë ose roman të pambaruar. Mendimin se romani Doktor Gjëlpëra… është një vepër e pambaruar e kemi pasur edhe ne më 199311.
Mirëpo titulli i veprës Doktor Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurasit nënënkupton se autori i kishte vënë vetes detyrë vetëm të zbulonte rrënjët e dramës së Mamurrasit dhe jo ta pasqyronte vetë dramën, pra vrasjen. E parë në këtë drejtim, nuk ka rëndësi sesa ngjarje dhe skena (rrathë koncentrikë) krijon autori për të zbuluar rrënjët e asaj vrasjeje. Ai në çdo ngjarje e skenë që ka sajuar ka sjell fakte e arsyetime që i zbulojnë rrënjët, shkaqet e asaj ngjarjeje. Mbasi janë zbuluar korrupsioni në zyrat e doganës, paaftësia e kuadrove të formuar në kohën e Perandorisë Osmane, korrupsioni i organizuar me Ministirn e Brendshëm në krye të shoqërisë Kamora dhe mentaliteti i prapambetur i aristokracisë shqiptare që nuk di të bëjë biznes. Nuk ka rëndësi zgjatja e subjektit, sepse edhe deri këtu autori ia ka arritur qëllimit, ai ka zbuluar se ku qëndronin rrënjët e asaj drame. 
Në këtë kuptim romani Doktor Gjëlpëra… mund të konsiderohet një vepër e përfunduar edhe pse autori mund të ketë lënë pa botuar disa skena të tjera që mund t’i kishte të shkruara. Këto skena do të sillnin dhe disa plotësime të mëtejshme, por jo zgjidhjen e problemit, sepse zgjidhja e problemit është dhënë në mënyrë të kuptueshme edhe me skenat që janë përshkruar deri këtu. 
Faik Konica edhe pse ishte larguar nga atdheu në moshë shumë të re dhe ishte kthyer e kishte jetuar në Durrës vetëm disa muaj gjatë viteve 1913-1914, mundi që me talentin e tij të fuqishëm ta rikrijonte jetën patriarkale e të prapambetur shqiptare shumë më mirë se shkrimtarët që kishin jetuar aty me dhjetra vjet. Për thellësinë e autopsisë që Konica i bëri shoqërisë shqiptare në këtë roman duhet konsideruar pararendës i Migjenit.
Romani Doktor Gjëlpëra… është shembull i qartë që tregon se shkrimtarit për të krijuar një vepër letrare me vlera artistike ku pasqyrohet jeta me vërtetësi e realizëm, i duhet në radhë të parë talenti i fuqishëm dhe fantazia krijuese dhe jo njohja faktologjike që vjen nga të jetuarit afër me ngjarjet dhe faktet. Ky roman e hedh poshtë mendimin e teoricienëve të realizmit socialist, sipas të cilëve shkrimtarët duhej të jetonin gju më gju me popullin për të krijuar vepra të realizuara artistikisht.
Nuk ka asnjë dyshim se ky roman i Konicës për nga vlerat ideo-artistike është vepra më e realizuar midis veprave romanore të shkruara e të botuara në letërsinë shqipe deri në vitin 1944. Këto vlera qëndrojnë në demaskimin e mentalitetit anadollak, luftë e cila nuk bëhet përmes lotëve e keqardhjes si në veprat sentimentaliste, as përmesentusiazmit e patosit të ngritur emocional si në veprat romantike, por përmes riprodhimit të jetës me realizëm duke vënë gishtin në plagët e shoqërisë shqiptare e cila meritonte një jetë më të mirë.
Konica romancier po tregonte, se ashtu si kishte bërë si publicist, e donte popullin dhe atdheun e vet, jo duke e hymnizuar të kaluarën dhe natyrën shqiptare, por duke treguar të vërtetën mbi gjendjen reale, duke e kritikuar këtë gjendje për ta ndrequr atë. Për nga realizimi i formës artistike ky krijues i talentuar mundi t’i jepte letërsisë sonë një vepër me thurrje të re kompozicionale. Ai e krijoi romanin e vet përmes kontrastit ku vendosi ballë për ballë dy botë krejt të kundërta: doktor Gjëlpëra që pëfaqëson shqiptarin e europianizuar, dhe moria e nëpunësve nga më të thjeshtët deri tek nivelet më të larta, e profesionistëve të paaftë, e shtresave të pasura, të cilët të gjithë së bashku përbënin shoqërinë shqiptare feudale, të kalbur kokë e këmbë e cila duhej transformuar sa më parë.
Konica si mjeshtër i analizës dhe i tipizimit me pak fjalë e me pak hollësira, përdori me sukses, si kishte përdorur edhe në skicat e veta, përshkrimin e jashtëm, dialogun, meditimin e mjete të tjera të poetikës si ligjërimin dhe figurat e shumta stilislike. Si krijues realist ai e çliroi prozën e gjatë shqipe nga skemat e paracaktuara dhe nga të papriturat, nga parandjenjat e fuqishme të heronjve, nga gjuha e zgjedhur e plot lulka, që mbizotëronin më parë e do të mbizotëronin në romanin tonë edhe në vitet 30-të. 
Romani Doktor Gjëlpëra… është përpjekja e parë e suksesëshme e romanit tonë social satirik me anën e të cilit Konica ndihmoi në ngjalljen dhe mëkëmbjen e vetëdijës kritike tek lexuesit shqiptarë, gjë që ka të bëjë me krijimin e një vetëdije historike moderne të popullit tonë. Ky roman njëheresh është dhe vepra letrare më e rëndësishme që kemi prej penës së këtij autori në gjuhën shqipe. Me këtë vepër ky autor e dha modelin e letërsisë realiste për të cilën kishte aq nevojë letërsia e asaj kohe e më vonë. 10-12 vjet më vonë krijuesit letrarë shqiptarë në revistën Bota e Re të Korçës diskutuan për nevojën e madhe që kishte letërsia dhe shoqëria shqiptare për vepra realiste. Mirëpo këta krijues diskutuan për nevojën e letërsisë realiste pa e njohur romanin realist të Konicës. Ata nuk e përmendën në diskutimet e tyre as veprën as Konicën, pra e injoruan modelin e gatshëm nga mosnjohja.
Veprat realiste kanë forcë edukative dhe tingëllojnë aktuale sa herë shfaqen në shoqëri probleme të ngjashme me ato që janë trajtuar në to. Kështu dhe romani Doktor Gjëlpëra… tingëllon sot aktual, mbas gati një shekulli nga botimi i tij, sepse korrupsioni dhe krimi i organizuar gjallon sot në Shqipëri dhe Kosovë. Leximi dhe rileximi i këtij romani në ditët tona, mendojmë se do të ndikojë në gjallërimin dhe rritjen e guximit që duhet të kenë krijuesit tanë për trajtimin e problemeve që kanë të bëjnë me të sotmen dhe të ardhmen e popullit tonë. Po ashtu leximi dhe rileximi i këtij romani do të nxitë tek krijuesit dhe guximin për të eksperimentuar forma të reja artistike.
Ky roman për nga përmbajtja dhe mënyra e trajtimit të kësaj përmbajtjeje është prozë që i përgjigjet shijes së brezave të rinj shumë më tepër se proza e paraardhësve apo e bashkëkohësve të tjerë të Faik Konicës12.
(Ky variant ka përmirësime në krahasim me atë që u botua në gazetën Rilindja, Tiranë, 11 dhjetor 1993, f. 6.)
1Shih: Thanas GJIKA. Faik Konica rrezikohet të mbetet pak i njohurRilindja Tiranë, 3 tetor, 1995, f. 9. Këtë numër të gazetës Rilindja ia dërguam At Liolinit, kancalarit tv Kishës së Shën Gjergjit, për t’i tërhequr vëmendjen.
2Për këtë përmbledhje Konica jep sqarimin e vet në gazetën Dielli që botohej me emrin Dielli e Flamuri Boston Mass Nr. 72, 18 nëntor 1910, f. 1. 
3 Kjo komedi quhet prej autorit komedi e vogël, prandaj ne e quajmë komedi me një akt. Ajo ishte e përfunduar dhe ishte vënë dhe në skenë më 8 shtator 1923 prej grupit treatral amator te qytetit Malborough Mass. Shih: Dielli Boston Mass 13 nëntor 1923, ku përmenden dhe emrat e katër aktorëve kryesorë.
4Çapje në çvillim të literaturës shqipeDielli, Boston Mass Nr. 2686, 8 mars 1924, f. 4-5. Nëntitulli që i ka vënë autori një përrallë sociale dhe filozofike tregon se kjo veprë ka qenë një novelë ose roman fiction, pra me ngjarje jo të jetuara por të krijuara prej fantazisë së autorit, ashtu si romani Doktor gjëlpëra….
5Kjo vepër duhet të ketë qenë një studim sintezë për gjuhën shqipe, por nga njoftimi në Dielli i datës 8 mars 1924 nuk del e qartë në se ishte e përfunduar deri atëhere, apo jo.
6Studjuesi Fotaq Andrea zbuloi dy vjet më parë dy romane të panjohur të Faik Konicës shkruar frëngjisht më 1908-1909, të cilët autori ia kishte shitur princit Aladro Kastrioti për të siguruar paret për botimin e mëtejshëm të revistës Albania dhe për të vijuar punën atdhetare. Këto dy romane Konica nuk i përmendi asnjëherë, ndoshta sepse nuk e dinte fatin e tyre pas dorëzimit të dorëshkrimit. Sqarimet për fatin e këtyre dy romaneve dhe vlerat e tyre do t’i mësojmë së shpejti prej z. Andrea, i cili do t’i botojë ato në shqip shoqëruar me një hyrje të gjatë studimore. Ky botim po sponsorizohet prej shoqërisë Vatra, fakt që na gëzon sepse tregon që kjo shoqëri e ka ngritur nivelin e saj si shoqëri kulturore krahasuar me vitet 1940-2010…
7[Editori], Doktor Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurasit, Dielli, Boston Mass, 29 korrik 1924, Nr. 2744, f. 8. 
8Kastrati, Jup. Faik Konica (Monografi) GJONLEKAJ PUBLISHING CO. New York 1995. f. 378
9 Konica, Faik Fjalori Enciklopedik Shqiptar, ASHRPSSHTiranë, 1985, f. 521.
10Konica, Faik Fjalori Enciklopedik shqiptar, ASHSH, Tiranë 2008, 2, f. 1263-1264.
11Thanas Gjika. Doktor Gjëlpëra… roman i pambaruar i Faik Konicës Rilindja, Tiranë 11 dhjetor 1993 f. 6.
12Qosja, Rexhep. Faik Konica, Rikthimi i tij. Parathënie në: Jup Kastrati Faik Konica (Monografi), po aty, f. 26. 

Letërsia fantastiko-shkencore në botën arabe Takim me shkrimtarin sirian Taleb Omran

$
0
0
“Njeriu modern duhet të lexojë më shumë libra, që ta zhvillojë fantazinë dhe të mos bëhet rob i teknologjisë, sepse kështu ruan ndjeshmërinë dhe natyrën e tij njerëzore”. Ky ishte një nga mesazhet e shumta që përcolli shkrimtari dhe shkencëtari sirian dr. Taleb Omran në takimin e radhës të ciklit “Bisedë me autorin” organizuar me 6 Maj ne Tirane.
Ndryshe nga herët e tjera, Libroteka e AIITC u dhuroi lexuesve të saj mundësinë për të bashkëbiseduar me një shkrimtar të huaj, i njohur si një nga pionierët e letërsisë fantastiko-shkencore në botën arabe.
Takimi me të u zhvillua në Amfiteatrin e AIITC. Aty morën pjesë studentë dhe intelektualë të ndryshëm.
Dr. Omran Talib e filloi bisedën, duke bërë një historik të shkurtër të zhanrit fantastiko-shkencor. Ai përmendi se ky zhanër i ka fillesat me veprën letrare “Histori e vërtetë” të shkrimtarit të lashtë Lucian nga Siria. Pastaj përmendi një seri veprash të autorëve mesjetarë muslimanë, të cilat mund të konsiderohen të këtij zhanri, siç janë:“Qyteti i virtytshëm” i Farabiut, “Letra e faljes” e poetit Ebu-l Aëla el-Ma’arri etj. Ndërsa theksoi se ky zhanër mori hov në mesin e shek. XIX dhe shkëlqeu me shkrimtarë të tillë si Zhyl Verni, H. G. Uells etj.
Më pas dr. Omran përshkroi shkurt lidhjen e tij me këtë lloj letrar. “Që i vogël lexoja shumë, aq shumë saqë fëmijëria ime qe shumë e shkurtër. Kjo bëri që tek unë të krijohej një bagazh i madh njohurish, të cilat më pas më ndihmuan të shkruaj. Fillimisht e nisa me poezi, pastaj shkrova një tregim të shkurtër fantastiko-shkencor” – tha mes të tjerash. Ai rrëfeu se si mes përkushtimit dhe vështirësive arriti të bindte botues të ndryshëm, derisa nxori në qarkullim mbi njëzet romane dhe dhjetëra tregime fantastiko-shkencore përgjatë 40 viteve.
Ndërsa më 2007-ën themeloi Lidhjen e Shkrimtarëve Arabë të Fantashkencës, të cilën vazhdon ta kryesojë. Duke shpjeguar shtysat që e nxitën të merrej me letërsinë fantashkencore, ai tha se bagazhi i njohurive që merr njeriu në jetë e frymëzon atë të shprehet për të ardhmen. “Këto parashikime nuk janë profeci, por përfundime që nxirren nga analizimi i kushteve dhe rrethanave të ndryshme, nën dritën e njohurive shkencore” – shtoi ai.
Në vështrimin e tij, letërsia fantastiko – shkencore ndahet në dy llojesh: në letërsi serioze dhe në fantazi. Karakteristika e së parës është se ajo ka në qendër njeriun dhe shqetësimet e tij për të ardhmen. Ndërsa karakteristika e së dytës është se ajo përmban hiperbolizime, fantazi dhe teprime për qëllime argëtimi. “Me keqardhje them se në botë mbizotëron letërsia e llojit të dytë. E njëjta situatë vlen edhe për botën arabe” – tha autori.
Në shkëmbimet e shumta që pati me të pranishmit, shkrimtari theksoi rëndësinë e vënies së një ekuilibri midis kënaqësisë dhe arsyes, me qëllim që njeriu ta jetojë jetën natyrshëm. “Në qoftë se kënaqësia e mbizotëron arsyen, produkt i saj është njeriu mendjengushtë, i cili synon që mendimin e tij t’ua imponojë të tjerëve me çdo mjet.
Është pikërisht ky një nga rreziqet më të mëdha që i kanoset njerëzimit. Ilaçi i kësaj situate është vetëm lidhja me librin, me leximin, me diturinë.” Ishte ky një nga mesazhet mbyllëse të takimit.
Më pas të pranishmit i falënderoi Kryetari i Bordit Drejtues të AIITC dr. Faruk Borova, i cili i ftoi ata t’i vazhdonin bisedat në koktejin e shtruar me këtë rast.

PANAIRI I FIERIT,CMIMI PËR POEZINË, SHKON NË KOSOVË – BASHKIM HOXHA TRIUMFON ME”GRUAJA E SHIUT”

$
0
0

Rreth 6 mijë tituj librash, nga të cilët 1 mijë të rinj, u prezantuan për qytetarët e Fierit në 3 ditët e Panairit Kombëtar të Librit, i cili çeli siparin mëngjesin e së premtes për t’u mbyllur të dielën në mbrëmje. Rreth 100 shtëpi botuese sollën për publikun e gjerë autorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, dhe trevat e tjera shqipfolëse. Akademiku i njohur Ali Aliu i cili e ndoqi nga afër këtë aktivitet pohon se shkrimtarët po bëjnë atë që nuk ka mundur ta bëj dot politika në gjithë këto vite, bashkimin e shqiptarëve, ndërsa e cilëosn si më të mirin panair përsa I përket misionit e tematikës që përmbledh.

“Ky panair është kthyer tanimë në një ngjarje shumë të rëndësishme kulturore me përfshirje më të gjerë se gjithë panairet e tjera shqiptare të këtij lloji. Të mbledhësh bashkë edhe librin, edhe botuesin, edhe autorin, edhe studiuesin e kritikun, edhe të rinjtë e të flasësh e diskutosh për emra nga më klasikët e deri tek më të rinjtë e letërsisë bashkëkohore, është një punë tepër voluminoze, sfilitëse, do të thoja, që e bën vetëm Panairi i Fierit. Prandaj them se e shoh si  më të mirin panair në vend. Pretendimi është një unifikim që letërsia e ka filluar dhe ka ecur më përpara se fushat e tjera me një seri botimesh të një formati evropian, -tregon Aliu.

Organizatorët e panairit të librit, thonë se për  tre ditë u mbajtën konferenca të rëndësishme shkencore  në respekt të personaliteteve të njohura të letërsisë, që kanë këtë vit përvjetore lindjesh dhe vdekjesh si: Pjetër Budi, Naim Frashëri, Ndre Mjeda, Çajupi, Ali Asllani, Migjeni, Esad Mekuli, Kasëm Trebeshina, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Rexhep Qose, për të cilët kumtuan Klara Kodra, Ymer Çiraku, Ali Aliu, Sadik Bejko, Nasho Jorgaqi, Bashkim Kuçuku, Ilinden Spasse, Bardhosh Gaçe, Behar Gjoka, Dorian Koçi etj.

“Nuk ka një ndasi kufijsh gjeografik. Letërsia shqiptare është një. Ne kemi një mission; jo vetëm të sjellim librin te lexuesit e Fierit që është I shumtë, por në fokusin tonë ishin edhe disa konferenca shkencore me qëllim që të promovonim autorë që i kanë dhënë emër letërsisë shqipe e botërore” -pohon Majlinda Rama, presidente e fondacionit Harpa, njëkohësisht drejtore e Panairit të Librit.

Në ditën e fundit të panairit u ndan cmimet kombëtare të letërsisë për katër fitues. Juria përbëhej nga: Ali Aliu, kryetar, Resul Shabani, anëtar dhe Dorian Koçi, anëtar. Cmimi i poezisë më të mire shkoi në Kosovë, ndërsa Bashkim Hoxha do të triumfonte me romanin me të mirë në këtë kompeticion.

Më poshtë po japim cmimet:

Bashkim Hoxha: Për romanin më të mirë, me motivacion: “Për romanin ‘Gruaja e shiut’, i cili sjell një galeri të gjerë personazhesh e ngjarjesh të ndërthurura mjeshtërisht në një narracion të rrjedhshëm”.

Shaip Beqiri: Për poezinë më të mirë, me motivacion: “Për librin ‘Muranat e muzgut’ -simbiozë e imagjinatës poetike dhe perceptimit filozofik, duke sjellë një kostelacion të gjerë në kozmosin e letrave shqipe”.

Bujar Kule: Për krijimtari të veçantë, me motivacion: “Për  librin ‘Ylli i bijve të pellazgut’, nëpërmjet të cilit autori spikat mjeshtëri krijuese, duke sjellë bukur një histori të romanizuar, ku nuk mungojnë imazhet dhe argumentet”.

Mihal Krimçe: Për letërsi artistike në zhanrin fabul, me motivacion: “Për librin ‘Dëgjoni fjalën time’, ku bien në sy fabulat e gjetura, harmonizimi bukur i ritmit, mendimit, fjalës artistike e mesazhit, si dhe për larminë e tematikës që përcjell”.

 

 

 

FIGURAT HISTORIKE TË DEBATUESHME NË NJË KËNDVËSHTRIMIN HISTORIK

$
0
0
Nga Gëzim Llojdia/
 1.Kjo është vërejtje e famshme e Bonapartit, që thotë: “Historia është një grup i gënjeshtrave, që njerëzit kanë rënë dakord”, ka pak dyshim se mitet, keqkuptimet dhe trillimet të drejta, të plota shpesh janë formuar për të  kuptuar  të kaluarën tonë. Në disa raste, këto legjenda janë rrënjosur,aq  sa errësojnë faktet aktuale të jetës së një figure historike. Në këtë hulli mund të quhet se ka ecur krijuesi Luan Cipi me një botim të fundit, duke u përpjekur të shpërbëjë mjegullnajën, që rrethon mjaftë prej figurave historike  të debatueshme .
Luan Cipi është një ,krijues  cilësor   me 10 botime brenda disa vjetësh  duke përfshirë disa gjini të ndryshme.“Urtësi,trimëri,por dhe humor e shaka vlonjate”,është botimi më i fundit i Luan Cipit.
Që analistët sasiore janë gjetur shpejtë  në “shtëpinë e tyre” dhe pikërisht   në disa fusha si:ekonomi,sociale dhe kulturore,mirëpo  në lidhje me historinë çfarë sjellin  me analizat  e tyre  sasiore ?Çfarë përmbajnë renditja dhe krahasimi me  reputacion historik  duke vlerësuar  çdo  figurë historike, duke  sjell gjurmët e  shumë njerëzve më të rëndësishme të historisë  së një qyteti  në shkencë, politikë, argëtim, dhe në të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore.
 Nuk ka mënyrë më të mirë për të kuptuar ngjarjet në të kaluarën e tyre  se sa duke shqyrtuar burimet  si:revista, artikuj, letra, të artit, muzikës apo autobiografi  të lëna në dorëshkrim. Për të analizuar një burim primar autorit i është duhur  informacioni në lidhje me dy gjëra:faktin që mund të jetë dokument ,ky pra që grish mjegullën dhe kohërat për tu zbardhuar drejt  dhe epokën nga e cila ajo vjen.
 Nëse  e gjykojmë në këtë prizëm  edhe librin e fundit të autorit L.Cipi gjejmë të analizuar disa figura historike të qytetit të Flamurit, por edhe të vendlindjes së autorit . Disa prej tyre figurave të sjell në këtë botim janë shkruar si skica,portrete,analizë, reflektim, ese, homazh deri te shakat vlonjate  ose ka sjellë  dorëshkrime origjinale :Luftëtarët e lirisë,kujtoj Cerciz Topullin një dorëshkrim interesant, që vlen të  shikohet me interes nga historianët. Osman Haxhiu legjendar ,një portret  i bazuar fakte të reja .Bahri Omari nderi i kombit….Dr Omer Nishani,që ishte 8 vjet President. Sejfulla Malëshovën si e shoh sot,që është një reflektim. Lame Kodra dhe bota e re .Një analizë ë kushtuar figurës Ago Shero Agaj që ka mbetur ende midis dritëhijeve. Një portret, kushtuar inxhinierit, që studio dhe mori medalje të artë në Vjenës,por u  u pushkatua për kënetën e Maliqit:”Martiri Kujtim Beqiri na thërret një homazh.
 Spiro Koleka një atdhetar i shquar etj . Po shqyrtojmë vetëm dy momente të këtij botimi.  “Luftëtarët e lirisë”, nga Epopeja e Mashkullores  bazuar në dorëshkrimin e të atit të autorit Kaman Bektash Cipi,  është një rrëfim  interesant, që vjen për herë të parë  i zbardhur ,që duhet studiuar ,që duhet të merret  në konsideratë nga historianët e kësaj periudhe për ta pasuruar këtë epope dhe këtë periudhë.
 Duke analizuar, natyrën fizike të burimit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme  sepse kemi të bëjmë me një burim origjinal,d.m.th, një letër të vërtetë të  vjetër, dorëshkrimi i autorit Kaman Cipit ,bazohet në të  dhënat  e tij, që përfshinë harkun kohor kur ka ndodhur ngjarja. Autori  i dorëshkrimit përcjell historian e një prej betejave të zhvilluara në jug  kundër otomanëve, që nisën fillimisht me aksionin e vrasjes së majorit Halil Musa Beu komandant i xhandarmërisë në Gjirokastër dhe më tej  me “ Epopenë e Mashkullorës” ,të  18 mars 1908 ,pra ngjarje që ndodhën 4 vite  para pavarësisë kombëtare  .Për betejën e Mashkullores  ka pasur edhe më parë rajvizime historike me dokumente të kësaj ngjarje sidomos në periudhën 1920-44 dhe 50-90. Nëse kjo ndodhte ishte një arsye, regjimi u vinte detyrë institucioneve për të zbardhur  ngjarjet dhe periudhat e ndryshme historike  si dhe duke i përdorur ato. Janë sjellë dokumente, por dorëshkrimet origjinale janë të pakta, një ndër to është edhe dorëshkrimi origjinal i Kaman Cipit, për ngjarjen e Mashkullores, dëshmitë e tjera janë të mbështetura më tepër në librin e M.Gramenos           dhe më rrallë në botime të tjera.
Cili ishte mesazhi i autorit, ose argumenti? Zbardhja e një periudhe historike e një prej betejave në jug të vendit kundër pushtuesit otomanë. A mund të vlerësojmë burimin si dëshmi historike? Sigurisht duhet vlerësuar ,vetë autori i tij Kaman Cipi jo vetëm, që është nga Gjirokastra, por ai ka jetuar në këtë periudhë kur janë zhvilluar ngjarjet.
Një personazh tjetër historik i mbuluar më tepër nga misteri dhe zbardhur pak për të cilin shkruan autori, është figura e Ago Sherro Agaj,që ishte dikush sipas autorit.
Në fillim autori i këtij botimi , L.Cipi thotë me sinqeritetin  e tij. Nuk është fjala për të rehabilituar çdo kolaboracionist ,por për të shpjeguar jetën e gjithkujt, që duke rrojtur dhe madje edhe veprimtarinë atdhetare të dobishme dhe pse gaboi diku nuk mund ti shuash krejt veprimtarin   e tij dhe ti asgjësosh anët e mira duke e dënuar me heshtje e deri në mohim pa e gjykuar dhe analizuar. Pasi flet për vit-lindjen dhe arsimin e tij Ago,Agaj është ndër studentët shqiptarë që ka studiuar  në Austri,autori ndalet te punësimi dhe zgjedhja e tij si prefekt i Mitrovicës,me votë të lirë pas shumë sprovave Agaj bëhet prefekt i Mitrovicës,gjatë periudhës së luftës së dytë botërore.
 Dy çaste, që mrekullojnë nga qëndrimi atdhetar i A.Agaj në Mitrovicë.
28 nëntori i vitit 1941. Sipas autorit të këtij portreti L.Cipi, në këtë ditë historike, për të gjithë shqiptarët  dolën sheshit për të kremtuar ditën historike veshur me kostume kombëtare  të zbukuruar me ar e gurë të çmuar.
Rasti tjetër, ka të bëjë me detyrën e tij si prefekt. Komanda gjermane  kishte marrë vendim të burgoste gjithë hebrenjtë dhe jevgjit ,shkruan autori L.Cipi. Mirëpo në Mitrovicë nuk kishte shumë familje hebreje,por kishte rreth 4 mijë familje jevgjish ,
i quanin gabelë. Ata flisnin shqip dhe mbanin anën e shqiptarëve. Prefekti Agaj u shpjegoi gjermanëve se jevgjit ishin me orgjinë egjiptiane,kurse ciganët ishin me prejardhje nga India. A u bindë komanda gjermane,sigurisht që jo. Me anë të Vehbi Frashërit  u gjet libri i F.Novak që kishte studiuar racat dhe popullsinë  e tyre. Kjo ndërhyrje e prefektit shpëtoi 4 mijë jetë njerëzore,nga rrëzimi definitiv ,vdekja nga plumbi ose mbytja me gaz, që praktikonin nazistët gjatë periudhës së luftës së dytë botërore.Shkëputëm vetëm dy raste nga libri i fundit i publicistit Luan Cipi.
2. Struktura e librit është organizuar me mjeshtëri nga autori .Janë kapitujt e organizuar në mënyrë kronologjike, tematike nga grupi i aktorëve historike, nga të përgjithshme në të veçanta, ose në ndonjë mënyrë tjetër? Autori Luan Cipi, tregon edhe në botimin e fundit se është një mjeshtër i  vërtetë  i penës  ,një njohës i mirë fakteve dhe dëshmive historike, ai rrëfen  në gjuhën e thjeshtë të pangarkuar shkurtimisht, tregime historike ose përmbajtjen, por  gjithmonë i përqendruar në argumentin historik duke u bërë dhe se si në mënyrë efektive, autori e ka mbështetur këtë argument me prova historike. Si në lidhje me burimet dytësore? A ka një ose më shumë libra të mesme që autori duket të duhet të jetë  konsultuar shumë në mbështetje të argumentit?Them se autori L.Cipi ka studiuar shumë autorë, që kanë nxjerr në dritë  këto figura historike  për të cilat shkruan edhe Luan Kaman Cipi në përmbledhjen:” .“Urtësi,trimëri,por dhe humor e shaka vlonjate”.

Del në dritë një elegji pesëshekullore

$
0
0

Mendime për librin e Novruz Xh. Shehut “Komita vate e shkoi”/

Nga Idajet Jahaj- studiues/

Kohët e fundit u botua libri i Novruz Xh. Shehut “Komita vate e shkoi”. Ky titull është përzgjedhur nga njëri prej vargjeve të një elegjie të hershme dhe të gjatë, të cilën autori e quan baladë, sepse sipas tij, kjo elegji, si përmbledhje e disa elegjive që i kushtohen së njëjtës ngjarje, është transmetuar në mënyrën klasike të baladave që lindën në Europë në fund të Mesjetës.  Nëpërmjet pleonazmit të bukur  “vate e shkoi” jepet romantika e një nëne të re, personazh kryesor i elegjisë.

Libri nuk është voluminoz, gjithsej 90 faqe, por nga densiteti i ngjarjeve që pasqyron, i ngjan një romani. Gjithë ngjarja që përshkruhet ngërthen pikërisht një elegji, të gjysmës së parë të shekullit XVI dhe konkretisht të vitit 1537. Ky vit është i fiksuar në historinë tonë, si vit i një ndeshjeje të madhe midis forcave luftëtare të popullit me hordhitë e Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm, aty në Bregdetin himarjot. Kanë kaluar qysh atëherë pesë shekuj, ose më saktë 479 vjet dhe balada- elegji ruhet përgjithësisht e plotë! Ajo është një thesar i vërtetë i kulturës sonë folklorike. Gjer më sot kanë qenë të botuara fragmente të saj si në librin e studiuesit Fane Veizi “Bregdeti në këngë”,  studiuesit Llambro Ruci , “Himara”, 2011; Pr. Bardhosh Gaçe “Himara në shekuj”, ose dhe në ndonjë punim tjetër. Por tërësia e vjershës nuk ka qenë e njohur.

Libri ka dy linja kryesore: ngjarjen dramatike të atentatorit Damjan Himarjoti (i njohur në histori si banor vendës nga Himara), por linja e gjenezës fisnore fillon nga kështjella e fortifikuar e Shatit, me lëvizjen e të parit të tyre Petro Shati dhe pasardhësve të tij si kalorës të Kryqit, besnikë të Shën Pjetrit ( fideles Sancti Petri) kalorës të Krishtit drejt Himarës, ku më vonë dhe vetë Damiani do të ishte një  “capitano fidelis sancti Petri” ( Kapiten kryqtar besnik i Shën Pjetrit), i cili, mbas kthimit nga luftërat për Papatin e Venedikun, do ta vazhdonte këtë detyrë me zbritjen e hordhive osmane me në krye Sulltan Sulejmanin dhe në Himarë. Gjurmimi i gjenezave të këtij fisi doli pikërisht nga formimi tërësor i pjesëve të kësaj elegjie. Si lindi ajo? Në libër bëhet një sqarim i plotë dhe i gjerë i gjurmimit dhe i ecurisë së saj sidomos në dekadat e fillimit të shekullit XX.

Ja kuadri i shkurtër i ngjarjes së atij viti 1537 (25 korrik): Forcat e Sulltan Sulejmanit kishin mbuluar bregdetin si një re e zezë. Pas shumë luftimeve të luftëtarëve tanë kundër tyre, një djalë himarjot nga Dhërmiu, Damian Petro Shati, vendosi që ta asgjësojë sulltanin, në çadrën e tij. Ky aksion i tij është i njohur në histori. Por në çastin që do të futej në çadër, u zbulua nga rojet dhe u kap prej tyre. Kryekomandant i ushtrisë osmane aty ishte pikërisht Ajaz Pasha. Ky ishte shqiptar, kishte lindur në Palasë. Të parët e tij kishin zbritur nga Progonati. Ishte marrë jeniçer prej turqve që kur ishte i vogël, kishte bërë karrierë të lartë ushtarake, deri në disa vende të tre kontinenteve që përfshinte Perandoria Osmane… Dhe ja tani, komandonte hordhinë gjakatare turke për të djegur vendin e vet! Renegat i pastër!

Mirëpo tragjedia u lidh: atentatori Damjan ishte kunati i tij. Kishte për grua Komita Petën, kushërirën e parë të Ajaz Pashës, i njohur ndryshe si Li Peta. Ky, i mbarsur me egërsinë e osmanëve, me lavdinë për pushtet e parà, nuk pati mëshirë për të kunatin, por dha urdhër ta torturonin çdo ditë. Por Damjani nuk kallëzoi gjë për inicimin e atentatit që do të kryente. Ajazi dërgoi jeniçerë për të sjellë me forcë aty gruan e Damjanit, Komitën (kushërirën e tij të parë) për ta detyruar Damjanin të fliste. Por Komita, e shoqëruar nga një grua e re, trime, nga Bregu, Marë Lania, niset për në Kurvelesh. Rrugës së Malit të Çikës, jeniçerët i afrohen, por Marë Lania e lë në një farë vendi Komitën e vetë kthehet e dredhon në malet e Çikës, duke thirrur: “Unë jam Komita!”, – për të shpëtuar shoqen e saj tashmë të torturuar nga fati tragjik, por dhe veten nga shtënia në dorë e jeniçerëve që i dhunonin robinat. Jeniçerët kërkojnë ta kapin Marën, por kjo hidhet nga një shkëmb në humnerë, diku mbi majat e Çikës, afër Palasës. Komita, pas shumë peripecish, (kishte një djalë të vogël në krahë, por dhe shtatzënë) shkon nga mali i Bolenës në Petaj të Progonatit, në derëbabe dhe vendoset përfundimisht me banim në Nivicë me njerëzit e afërm të bashkëshortit që ishin kështjellarë në kështjellën e Nivicës. Aty vjen nga Dhërmiu dhe vjehrra e saj, Thëllëza (Fëllëza), e cila mbërrin në kohën kur Komita kishte lindur një vajzë dhe aty fillon vajtimi i saj i gjatë… Është pikërisht ky vajtim që mori faqen e shekujve. Gjithë ky veprim intensiv, i cili ndodhi në një kohë fare të shkurtër, u përshkrua në vajtimin e saj tipik lab. Të gjitha ngjarjet aty parakalojnë si në një film të gjallë. Sigurisht, nëpër shekuj ky vajtim, kjo elegji, që në atë kohë është quajtur dhe baladë, për vetë karakterin e saj të thekshëm lirik, mund të ketë pësuar lëmime, zgjatje ose shkurtime, por thelbi gjithsesi ngelet i paprekur. Kjo elegji është nga më të hershmet në folklorin gojor, të paktën të trevave tona jugore. Ka pasur dhe para kësaj këngë të ndryshme historike si ajo e Rugjinë Balshës, “Ç’bën që rri, Rugjinë e gjorë”, e vitit 1417-1418; kënga e Gjergj Aranitit “Në Çipin përmbi Smokthinë”, e vitit 1434; ajo për trimin nga Bolena -Miho Hoçi, për luftën me turqit në vitin 1492 në Markovë, e ndonjë tjetër. Por këto kanë qenë të shkurtra, me nga 7-8 e deri në 15 vargje. Ndërsa elegjia për Komita Petën ka 72 vargje! Dhe të ruajtura për mrekulli në pesë shekuj!

Për nga sasia e vargjeve, densiteti i ngjarjeve dhe personazheve, ajo i ngjan një poeme të shkurtër të tipit homerik por ndryshe nga ajo ka vërtetësi e dhimbje tronditëse. Të gjithë emrat, vendet e ngjarjet që thuhen në elegji, sigurisht që janë me gjuhën e vjershërimit të hershëm popullor. Kështu ajo është polivalente dhe është vështirë të shprehen në një punim të tillë të gjitha vlerat që ngërthen. Dallohet aty leksiku i vjetër, shumë i hershëm i ligjërimeve popullore labe:

… Komitë e mbodhisurë

Çish shkon e vithisurë?

 

Çish vij a arça pëllua!

Halli që më zuri mua:

Kopaneci si cimbua… etj.

 

Përpos kësaj, aty ka fjalë të tjera pa mbarim, të veshura me tisin e hershëm të së folurës labe: sheprak, llomie, allonar, Otrënt, u mënua, felluk, illi që ke mbë konak, e kërreu, zërë (zanë), thepakë, bjerëjëm, fitirçjerrë, p’eja (pa eja), kumbiset, mënxirë, silarme, mbarlisia (pellazge kjo fjalë)… e sa e sa të tjera.

Në libër jepen personazhe të një rëndësie historike: Ajaz Pasha ka drejtuar ushtri e qeverisur në shumë vende të Perandorisë Osmane, duke u bërë deri në vezir i madh (kryeministër) i saj. Këto të dhëna dalin nga kontekstet historike deri dhe te fakti se ai bëhet jo vetëm kryeministër, por dhe dhëndër në familjen sulltanore, duke u martuar me motrën e Suljemanit të Madhërishëm (për të cilin vitet e fundit pati dhe një film të gjatë historik me shumë seri.) Madje, mbas shqiptarit Pargaliu, me origjinë nga Parga e Çamërisë, si komandant i ushtrisë osmane, erdhi Ajaz Pasha në vendin e tij!  E pikërisht ky sillet me egërsi ndaj bashkatdhetarëve të tij, madje edhe ndaj njerëzve të tij më të afërt. Kështu në libër pasqyrohen “heronj” të palës tjetër, pra të pushtuesit, të përmasave ndërkontinentale. Aty paraqitet vija e gjenezës së fisit Petroshati (Petoshati) që nga demilitarizimi dhe shkatërrimi i kështjellës së Shatit të Shkodrës, kalimi në Dhërmi, Nivicë e Dukat të Vlorës. Edhe sot në Dukat të Vlorës gjendet një toponim që quhet “Ara e Troshanëve”, duke ruajtur kështu dhe origjinën e hershme të pjesës tjetër të fisit kryesisht me klerikë nga Troshani i Shkodrës.

Libri pasqyron përpjekjet për evidentimin e elegjisë. Këto përpjekje filluan me publicistin Sali Nivica e shumë të tjerë në dekada të ndryshme të shekullit XX, deri tek njëri nga pinjollët e sotëm të fisit Petoshati, ish ushtaraku Xhelo Petoshati, tashmë mbi të tetëdhjetat, i cili e ka ditur përmendësh që në rininë e vet, të ruajtur gjysh pas gjyshi. Madje, mund të thuhet se Xhelo Petoshatit i takon merita e nxjerrjes dhe sqarimit të plotë të kësaj elegjie të famshme, të cilën shkrimtari dhe studiuesi i talentuar Novruz Xh. Shehu e kërkoi deri në hollësi duke i bërë sistemimin e plotë, pajisjen me fotografi dhe dokumente historikë nëpërmjet gërmimeve të shumta të literaturës së shkruar dhe gojore. Balada bën pasqyrimin e qëndresës legjendare të shqiptarëve për ruajtjen e trojeve dhe të fesë së të parëve. Por dhe ruajtja dhe transmetimi i saj me stoicizëm, është gjithashtu një qëndresë e fortë për të mos harruar të shkuarën dhe për të qartësuar të sotmen e të ardhmen evropiane të shqiptarëve.

Libri është një punim serioz, i tipit akademik, me serial të madh referimesh për të dhënat e konteksteve historikë dhe të personazheve.

Nga pikëpamja e gjuhës, mund të thuhet se autori është një zotërues i hollë i semantikës së fjalëve. Ka përdorur një leksik të pastër e të pasur, duke shpjeguar edhe labirintet më të vështira të rrjedhave, bëmave, personazheve, konteksteve historike, etj.

ZENUN HYSENUKAJ, ZËRI POETIK I GËSHTENJAVE ALPINE

$
0
0

Nga Ramiz LUSHAJ/

1.Gështenja të ban poet e, aq ma tepër, kur e kie kullën në rranjë, në hije, në flladin e tyne si Zenun Hysenukaj i Kerrnajës të Gashit të Gurit, kur në trevën tande – të Malësisë së Gjakovës – e kie masivin ma të madh në Ballkan. E, përndryshe, filozofia alpine e cilëson këtë dru-fryt të bekuar si “baçe e Zotit”, si “bukë në lis”, tek kanga: Po kuvend fisi me fis / – Ku jetohet ma mirë, o mik /- N’baçe t’Zotit te buka n’lis /Dhanë dhuratë prej Perëndisë/.

E, pra, kështu – jeta në gështenja e me gështenja – e bani dhe Zenun Hysenukajn poet. E bani me vëllimin e tij poetik “Zëri i gështenjave” (“Zani i Gështenjave”) me 57 poezi e poemën “Kujtesë për tim bir”. Ky është ma i pari libër i tij – djepi i tij poetik që e ngriti në kambë dhe po ecë na kambë në udhët letrare të kohënave. Gështenjat, vijnë me boça rremi e fjale poetike qysh në ballinë e në faqe të librit të tij poetik “Zëri i gështenjave” (Botimet “Muzgu”, Tiranë, 2013). E, pra, gështenjat i kanë poetët e vet trojenik si Zenun Hysenukaj, e kanë zërin e vet poetik si ky tufalakim poetik i tij, tek krijimtaria letrare e tij.
E ceka ma nelt: “Poeti Zenun Hysenukaj” dhe “Zenun Hysenukaj Poet”. Dy thanie në degë të fjalës, në boçat e veta, me nji realitet letrar të dukshëm: Zenun Hysenukaj në gen e me vepra është Poet – me emër e mbiemër. E, këtë titull apo “liçencë’, nuk e kanë dhe as nuk e marrin të gjithë ata që lindin, po të gjithë ata që hyjnë e jetojnë me vargun e vet poetik në kalendarin frymor e letrar të jetës. E kanë thanë latinët: heronjtë vdesin një ditë, po poetët, shkrimtarët, asnjëherë, kurrë.
Zenun Hysenukaj, pasi botoi poezi në mediat print “Muzgu”, “Standard”, “Rrezja e Shkëlzenit”, “55” etj., pas dy vjetësh – më 2015, me të njëjtin botues – “Muzgu”, mirë-erdhi me të dytin vëllim poetik “Vetëm s’po të lë”, me 126 faqe. Një hap i ri. Një lartësi e re. Pa hy’ ma gatë në rranjë e degë të kësaj “gështenje poetike” më vje’ për shteg fjale me thanë se Zenun Hysenukaj – malësori alpin i Rretheve të Gashit apo qytetari metropolitan i Tiranës – dhe Poezia e tij me fuqi bio-genetike-ekologjike si të Gështenjës, duket se kanë lidhë nji besë të fortë ndërveti. Përndryshe, janë “binjakë” të ri e të moçëm së bashku. Këtë fakt, së parit, e cilëson vet titulli i kësaj veprës së tij të dytë poetike “Vetëm s’po të lë”.
Tek Zenun Hysenukaj e gjen Poetin.
Tek Poezitë e tij e gjen Zenun Hysenukajn.
E në koft se nji i panjohur në qindrashekulloren “Rrugë të Gashit”, në ma të renë autostradë shqiptare “Udha e Kombit’, në të asfaltuarat bulevarde e rrugica as njiqind vjeçe të Tiranës, ka me dvetë ndokënd: Kush është Zenun Hysenukaj ?, ai, kur t’i lexojnë tri veprat e tij poetike, ka me e njoft përnjiherit si “Poet”. Ka me thanë troç, gojëplot: “Zenun Hysenukaj është Poet…”.
E, askush, të mos presin që poeti Zenun Hysenukaj të jetë i madh si poeti Dritëro Agolli, pavarësisht se Kerrnaja e Zenun Hysenukajt dhe Devolli i Dritëro Agollit, si për koiçindencë, janë njejtësisht 900 m lartësi mbidetare, sepse as malet, as vitet e shekujt, as luftërat, nuk i ngjasin krejt njana-tjetres. Ato kanë përmasat, ndryshimet, laryshinat e veta. Sikurse dhe poetët.
Zenun Hysenukaj nuk po shpejton me botime poetike për shkak të moshës së tij 60 vjeçare dhe as nga volumi numerik i poezive të tij. Jo. Ai është në ma të mirën moshë të rritës të emrit të vet, të veprës së tij poetike. Atë po e thërret vet Koha Poetike. E thërret dhe prej atje në Alpe, bash në rranjë të gështenjave të tij lisnajë në Kerrnajë, tek trolli i vet.
2. Zenun Hysenukaj është nji Poet i Harmonisë.
Ai nuk ka krye shkollë universitare e as mastera profesioal apo shkencor për letrat shqipe, po ai është qartas, thuktë – i tillë. Kjo i duket, i shprehet, i ndjehet në vargjet e tij, në poezitë e tij, tek metrika, tek rima, tek ritmi poetik. Kjo është e randësishme për me e pas titullin apo liçensen “Poet”. Kjo tregon se shpeshtas në magjen e tij poetike na jep nji poezi të pjekur mirë, të mbrrime.
Zenun Hysenukaj është Poet i Sintezës Poetike.
E gjejmë të tillë në gjithato poezi të tij, në të tre vëllimet e tij. Unë po due me e tërhjek vetëm nji prej tyne, atë “Sahati i babës” tek i treti vëllim poetik “Ku ikën ti vetja ime” (fq. 43):
“…E gjeta sahatin e babës.
Një sahat argjendi.
Pa akrepa, pa numra,
Por koha nuk mungon.
Nuk di, kishte rënë nga qielli.
Ai kishte vite që flinte në morg”.
3.Zenun Hysenukaj është Poet i Detajit Poetik.
E ky është një tjetër tregues që e dëshmon poet në gen e në udhë. E nji poezi e tillë e lartnon poetin dhe e kënaq fort e mirë lexuesin e saj.
Detajin poetik e ka në maje të penës, në krye të talentit poetik.
Prapë po ndali tek vëllimi i tretë poetik i tij “Ku ikën ti vetja ime”, po i fragmentoj vertikalisht vargje nga poezia “Ku fshihet fëmijëria” (fq. 42):
“Zogjtë si gjeometra matin pyjet
Për të gjetur fëmijërinë ku fshihet.
Por gjithçka ndal ritmin, masën,
Si numri i këmbës që një ditë,
më s’rritet.
E, po due me u ndal edhe tek ndonji tjetër poezi tek libri i tretë poetik i tij, tek ajo “E dua një orë” (fq. 48): “ E dua një orë të heshtur / çdo ditë / S’dua trokitje në derë / As vizita kurrsesi / Dhe dritën e dua të fikur / Është ora kur jetoj me të vdekurit / Pra me të parët e mi”/. E mora të plotë këtë poezi pasi m’u duk krejt e bukur, përveçse vargut të fundit, përmbyllës: “që kanë ikur”, të cilin e hjeka, pasi më ngjau i tepërt, si i panevojshëm.
E, hiç s’po i largohem vëllimit të tretë poetik të Zenun Hysenukajt. Aty po rri. Tuj kundrue poezitë e tij në vargni. Tue u këndellë nga poezitë e tij përgjatë leximit të tyne. Po e marrë të plotë horizontalisht poezinë “Me daltë dhe çelsa” (fq. 12): “Skeleti i kohës / Fati ecën zbathur si legjendë / mbi gurë / Kujtimet bien si zhele mjegulle / poshtë nëpër gurët e përroit të tharë / që quhet kohë / hëna si këpucë e humbur / E sjell këtë natë me sy spiuni / Shiu vazhdon të derdhë lotët / mbi qelq / Që bien ngadalë…ngadalë / Unë eci trotuarëve të Tiranës / Ku Kadareja s,ndjen më mall”/.
4. Zenun Hysenukaj është Poet i Lirizmit.
E ka veçori, tregues poetik. E has shpesh në poezitë e tij.
E i shkruan bukur poezitë lirike, sidomos kur nuk ika të kërkuara, por i dalin prej vetes motivet, përjetimet, vargjet. Ai është i hapur, i gjanë, i prekshëm, i ndjeshëm, i sertë, i lumtur, i mërzitur…në poezitë e tij lirike, çka ia bajnë ato ma të bukura, ma të arrira, ma të kohës.
Poezitë e tij më ngjajnë me boçat e gështenjave në rrema: lulojnë, lidhin fryt, eshknohen, pikojnë e hapen me kokrra, tharkohen, porogaçen, bahen ambelsina.
Prapë tek libri i tretë po e kapi në tematikë një poezi: “Shpirti ikën fushave” (fq.13) tek e cila duket lirizmi i poetit Zenun Hysenukaj: “Ka çaste të mjera, a të gëzuara /Ma mbushin ditën shterpë varg e varg / Si saç mbi kokë ashtu kanë mbuluar / Vështrimet e shpirtit tim rretheqark”/. Strofa e dytë është më e përveçme, fort e bukur:
“Shpirti ikën fushave e maleve përtej,
në shtigje ku nesër ikën përseri.
Do të humb e aq herë do ta gjej,
Si kali i lirë që rrugën e di “.
4.Kërrnaja e Gashit të Gurit, vendlindja e poetit Zenun Hysenukaj, e ka pothuaj një të tretën e tokës bujqësore me pemë (42.5 ha në v. 1990), ku shumica janë lisnajë e gështenjave të moçme e të reja. Ato, edhe kur komunizmi i shtetëzoi pronat e i ngriti arëzat, i ruanin kufijtë e vjetër. Ishin të ndame në parcela natyrore (kashnjete). Studjuesi e poeti kerrnajas, Halil Hajdaraj, tek monografia “Gashi i Gurit” (Tiranë, 2010) i listnon mikrotoponimet: “Kshtaja e Madhe”.“Kshtajtë e Alushit, Adem Ukës, Padeve, Baramsadikëve, Malocës, Sovjakit, Rambaramëve, Zhenajve, Kerrnajës, Hasajve, Havës, Lugit të Balisë, Fierajsë të Sovjakit, Izvirit, Sejdisë, Lugit të Madanit, Lugit të Sejdi Hysenit…”(fq. 121).
Në këto gështenja, këto gështenja, kanë rritë poetë, si lisnaja, begatia, bujaria, bukuria e madhështia e tyne. Në ferra nuk lindin poetët dhe as poetët nuk janë ferra. Nga ferrat mund të lindin dhe trandafili, por jo poetët. Nga gështenjat, tek gështenja, po. E, poetët janë gështenja me lis, rrema e kokrra. Dhe gështenjat e Kerrnajës kanë poetët e vet. E n’koft se ata nuk ua kalojnë madhështisë së tyne, ata janë madhështi e tyne.
    Kërrnaja, fshat me disa vllazni, barqe, mbiemra: Aliaj, Brahaj, Hajdaraj, Haklaj, Hysenukaj, Kërrnaja, Tahiraj, i ka disa poetë. Manjola Brahaj, doktore e shkencave në letërsi, me dy libra poetik tejet të veçantë: “Vajtimi i Kalipsosë” (2010) – nderue me Çmimin “Migjeni” nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë dhe “Na nuk jena t’ktuhit” (2014) – vlerësue në vendlindjen alpine (Tropojë) në Manifestimin Letrar Panshqiptar “Ora e Poezisë” (Edicioni i 7-të) si vëllimi poetik ma i mirë ndër të gjithë konkuruesit e atyshëm. Skënder Haklaj, me tre vëllime poetike: “Andërr e grime” (2001), “Dhe ritmova një stuhi…”(2001) e “Një za që zhurmon në heshtjen time…”(2002). Riza Haklaj na ka lanë dorëshkrimet e tij dhe vëllimin poetik me poema “Shpërfytyrimi” (2003). Halil Hajdaraj me tre libra poetic: “Plepi lakuriq” (2003),”Pas gjuetie” (2008), “Fjalor Shqipnisht-Shqip” (2012). Ky vis ka dhe poetë të tjerë të djehit e të sodit: Bukurie Hysenukaj, Gani Hysenukaj, Hasan Tahiraj…
    Kerrnaja, ky fshat alpin, i bekuar prej Perëndisë për bukurinë e bollekun, i baraslarguar nga mali i Shkëlzenit e lumenjtë në tri anët e tij, i ka disa studiues, prozatorë e publicistë me veprat e tyne. Historiani e ish-ushtaraku i lartë, Veli Haklaj, ka botue vepra me interes shkencor: “Kryengritja e Delvinës e vitit 1937: historia e plotë e një rebelimi nën dritën e dokumenteve arkivore” (2009), “Barbarizma sllave ndaj shqiptarëve: Dosja 58” (2010), “Siguria Kombëtare në Shqipëri 1925-1939” (2012). Azgan Haklaj – Mjeshtër i Madh, president i UAKSH, me katër vepra korpus: “Dardanët presin Dodonën” (2010), “Për Kombin, për Demokracinë” (2011), “Edhe Zoti po flet Shqip…”(2013), “Ashti i Kombit” (2014). Skënder Haklaj me vëllimin “Kur besa ishte besë”–tregime të moçme dardane (2009) dhe studimin monografik “Tropoja e mrekullive shpirtërore”(2014). Halil Hajdaraj me monografitë: “Bajram Hazir Rrogami” (2001), “Gashi i Gurit” (2010), “Bab’ Tahiri i Kosovës – Tahir Curran Kerrnaja” (2015), etj. Bajram Tahiraj me monografinë “Tahirajt e t’Bardhve t’Gashit” (2014) e studimin “Dita e Verës–festa pagane në 40 treva shqiptare” (2015).
Nga Kerrnaja janë disa emra të gazetarisë e, jo rastësisht, femra përfaqësuese të trevës së vet: Shotë Haklaj (martire e 31 tetorit 2001), Merita Haklaj– ndërvite në disa televizione kombëtare në Tiranë, Bukurie Hysenukaj – ishte tek gazeta “55”, etj.
     Aty ku janë gështenjat lisnajë, si në Kërrnajen e poetit Zenun Hysenukaj, dhe të mirat vijnë lisnajë në vargni brezash e realitetesh. Aty – toka bujqësore është e mirë në cilësinë e saj, prodhimtare bolleku, e madhe në sipërfaqe (160 ha tokë-arë në v. 1990). Aty ka dhe vreshta e, jo pak, 7.5 ha (në v.1990). Aty – ka dhe bletë, me qindra koshere mjalti. E, sa për kujtesë, ndër të gjitha llojet e mjaltave në botë, ajo e gështenjës, është klasifikuar ma kurativja, është ma e kërkuara për ilaç, për shëndetin. E thonë se një nga sekretet e jetëgjatësisë genetike të dr. Sali Berishës është dhe mjalti pa hile i gështenjës alpine. Aty – ka shumllojshmëri pemësh frutore, thue se je në një fermë frutikulture. Aty, masivi me gështenja, e rrugullon klimën e trevës, ban pastrimin e ajrit, sjell freskinë flladnore deri në mes të verës etj. Aty – mbarështrohet dhe blegtoria si delmja “Bardhokë”, lopa “Valbona”, “dhija e Kovaçit”, etj. Aty, për nelt, është mali i Shkëlzenit simbolik dhe, për teposhtë, është minerali i kuarcit (“gurgaci”) e–për ndryshe: po i nguce banorët e atyhit me sherri i kie “gurgac” çdonjanin, shpi për shpi. Aty – në Kerrnajë, ka bollek në trimni, në zgjuarësi (dhe pleqnitë e Isuf Groshit), në sojni, në sofër…në kulla, në burra, në njerëz të pushkës e të mendjes. Aty – toka dhe njerëzit janë të bukur – si Alpet. E, ky vend i bekuar prej Perëndisë tue i pasë të gjitha këto për banorët e vet, nuk ka kurrsesi t’i mungojnë Poetët. E, ky vend i ka të gjitha këto begatime e lumnime të vetat e unë po due me iu thanë poetëve të atyhit: “Poetë të Gështenjave”. “Poetë si gështenjat”. E, ky vend, patjetër që do të na jepte dhe nji poet si Zenun Hysenukaj, nga i cili presim nji botim Antologjik Poetik të krijimtarisë së tij poetike të derisotme.
5.Eva e hangri mollën në kopshtin e Edenit. Zoti u përkujdes për Adamin – i dha dy thasë me grurë, ku njanin ta hanin me gruan e tij Eva dhe tjetrin ta mbillnin për të pasë prodhim të ri senen tjetër. Po ata kujtuan që duhej mbjellë përnjiherë gruri i dy thasëve dhuratë, ndaj në vjeshtën e vonë mbetën thatë, në kushte të vështira për jetesë në ardhmëri. Atëherë iu shkon pranë Djalli e me djallëzi iu thotë: “Në koftë se Zoti juaj është i mirë dhe i fuqishëm sa juve dhe e besoni atë, atëherë pse nuk e vesh këtë mal me pemë ?! E dëgjoi Zoti në Qiell. E mori vesh Djallin në Tokë. Atëherë, Zoti e krijoi Gështenjën nga rrënjët tek boçet eshkore të frutave. E bekoi këtë drufrutor nga ma të parët, ma të lashtët, ma të moçmit. Kjo legjendë rrëfehet dhe nga Arthur Rabetti tek “Gazzetta di Modena” (01/04/1950). Për gështenjën, këtë pemë historike të bukës e të jetës, kam lexue dhe tek monografia shkencore “Gështenja…” të ing. Beqir Elezajt, që lindi mes gështenjave, u rrit me/për gështenjat dhe tashti e ka varrin e sakrificës e të prehjes së përjetshme aty – mes gështenjave në Elezaj të Margegajve të Malësisë së Gjakovës, këndej Valbone, larg Kërrnaje. Për gështenjën, për vlerat e saj të larta ushqyese, kurative, etj. më ka folë dhe i pasionuari i gështenjave, ing. Shpend Nikoçi, që po është si gështenjë në punën e tij.
E para ishte Fjala, patjetër dhe Fjala Poetike. Dhe Gështenja e bekuar nga Zoti është nga të parët drufrutorë të kultivuar natyralisht në Tokë, ndoshta pas Mollës së Evës e Adamit. Përndryshe: Poezia dhe Gështenja janë pothuaj të njikohshme, të moçme sa Toka, të bukura sa vet Jeta. Gështenja është si Poezi dhe Poezia është dhe si gështenja. Kjo duket dhe në krijimtarinë poetike të Zenun Hysenukajt, që e ka kullën e rritës tek gështenjat, që e ka burimin e poezisë tek gështenjat e Kerrnajës, në Rrethe të Gashit.
Ndër kohna të vona përcillet një histori: një nizam tropojas kur ishte në Turqi i rastisi të shkonte në spital për arsye shëndetësore, kur po i sjellin tek kryet e shtratit edhe nga katër kokrra gështenja. Ai i pyeti: – Po ç’ka janë këto? – Gështenja, i thanë, i përdorim për ilaç për disa sëmundje. Dhe poezia është ilaç. Edhe poezia e Zenun Hysenukaj është ilaç, pasi ajo buron nga trolli i masivit të gështenjave, sikurse dhe poezia e poetëve të tjerë tropojas.
Unë nuk do të kisha shkrue asnji fjalë apo faqe të vetme me të tilla shënime letrare për krijimtarinë poetike të poetit Zenun Hysenukaj në se nuk do të gjeja në poezitë e tij fshatin e lindjes e rritës – Kerrnajën dhe gështenjat, të cilat e banë Poet prej kaherit e në ditë të sodit e për kohnat letrare të së nesermes.
Poeti Zenun Hysenukaj, si poet i perceptimit të së tashmes përmes Kujtesës, me plot mall’ e dashuri, tek vëllimi poetik “Zëri i gështenjave”, me poemën përmbyllëse “Kujtesë për tim bir” (fq. 64) misionon atnisht e palcnisht për Kërrnajën e Gështenjat e saj:
Nderoje bir, fshatin tim Kërrnajë.
Aty gjithnjë do të gjesh:
Bukuritë, legjendat, hyjnitë.
E ken ë dorë nëse do të jesh gjithnjë pranë tyre.
Përkulu para malit me gështenja,
Pije ujin e burimit, mos rri dyshues,
Pi nga ai ujë i ëmbël,
Më i ëmbël se buzët e gruas…
    Poeti Zenun Hysenukaj e ka “Edenin” e vet. Ajo është Kerrnaja e masivit të gështenjave në Rrethe të Gashit, aty ku pena, natyra e jeta burimojnë poezi të gështenjta.

 

FASLLI HALITI VJEN ME “TROKITJE”

$
0
0

FASLLI HALITI/

TROKITJE/

 POEMTH/

I./

 Tak,/

Tak. tak,/

Trokitje…/

Po trokasin./

Le të trokasin…,/

Le të trokasin atje pas derës,/

Mes breshrit, llohës, indiferencës,/

Mes borës, stuhisë, shkretëtirave, shkurreve, erës./

 

II.

 Lehje.

Po lehin.

Leri

Të lehin!

Po nuhasin.

Lëri të nuhasin.

Plehrat do nuhasin, bajgat,

Hajdutët, zgrapësit, hajnat, killërët,

Hajdutët,

Hajnat

Po vjedhin.

Lëri të vjedhin…

Tek ti

Tek unë

S’kanë ç’të vjedhin,

S’kanë ç’të marrin nga ne ata?

S’kanë ç’të klepsin klepsokratët

S’kanë ç’të vjedhin ku nuk ka.

 

III.

 

Krisma. 

Dëgjohen

Krisma.

Dëgjohen të shtëna.  

Ç’i dëgjon krismat, të shtënat;

Kundër njëri-tjetrin shtien,

Me njëri -tjetrin e kanë;

Me Kallash

Pistoleta 

«TT»

Vriten 

Mes  tyre.

Për një copëz tokë vriten,

Për një dekolte, për një minifund zyre.

 

V.

Britma.

Sharje,

Grushte, kacafytje si qentë

Kafeneneve , trotuareve,

Në parlament.

 

VI.

 

Lëri

Të bërtasin,

Lëri të grinden,

Lëri të hahen tepistët,

Leri të shahen mes tyre,

T’i thyejnë  turinjtë, nofullat njeri-tjetrit,

Sidomos atyre që kanë vjedhur me trena, furgona:

Që kanë grabitur fusha, kodra, troje, toka bregdetare.

Leri të shahen mes tyre deputetët, partiakët,

T’i thyejnë turinjtë njeri-tjetrit

Hundët prej pinoku që zgjaten

Që shkurtohen

Sipas

Gënjeshtrave të tyre

Kilometrike

Imcake

Milimetrike,

Hundët

E përpjeta,

Sidomos atyre

Që kanë ndërtuar vila

Bregdeteve, botës anembanë:

Në Londër, Paris,

Amerikë,

Spanjë,

Në bregdetin limitrof italian…!

 

VII.

 

Të vjedhurit, pronarët,

Të grabiturit keq.

Po bëjnë

Padira me nerv pronari, fermeri

Në prokurori, në gjykatë,

Po bëjnë kallëzime

Po pajtojnë

Avokatë.

Po apelojnë gjer në Hagë…

 

***

 

Po vijnë paditësit plot bindje, nerv, besim.

Le të vijnë paditësit e grabitur,

Le të vinë,

Le të padisin

Prokurorët,

Hetuesit,

Gjyqtarët,

Thonjgjatët e gjyqësorit,

Avokatët, qeveritarët. 

 

VIII.

 

Paditës!

Paditini kriptohajdutët,  

Hajnat mes të ditës me diell,

Bëni kundër hajdutërisë

Kallëzime 

Penale

Gjithë nerv.

 

 

Bëni

Padira

Të ashpra,

Besojuni gjyqtarëve

Me duar të pastra.

 

Besojuni prokurorëve  

Gjyqtarëve  

Që japin drejtësi

 

Edhe pse sot ata kërkohen me qiri…

 

Shtator 2015

Sofra Poetike e Diellit-Robert Frost- poeti i jetës së gjallë

$
0
0

Nga poezia më e mirë amerikane/

Përktheu  Rafael Floqi /

Robert Lee Frost (26 Mars, 1874 – 29 Janar 29, 1963) ishte një nga poetët më  të shquar  amerikanë. Fillimisht krijimet e  tij u botuan në Angli para se ato të botoheshin në Amerikë. Ai shquhet për paraqitjet reale të jetës rurale dhe përdorimin e fjalës së gjuhës së folur amerikane. Vepra e tij shpesh përdor parametrat nga jeta rurale në New  England në fillim të shekullit të njëzetë, duke pasqyruar nëpërmjet përdorimit të detajeve shqyrtimin e temave komplekse sociale dhe filozofike. Ai ishte një nga poetët më të njohur dhe të respektuar nga kritika amerikane të shekullit të njëzetë. Frost u nderua shpesh gjatë jetës së tij, duke marrë katër  Çmime Pulitzer për poezi. Ai u bë një nga “figurat publike letrare, dhe u shndërrua pothuajse një institucion artistik.”  Atij iu dha Medalja e Artë të Kongresit në vitin 1960 për veprat e tij poetike. Më 22 korrik 1961, Frost u emërua poet laureat i Vermontit. Ai madje mbajti një fjalim mjaft domethënës në inaugurimin e Presidentit JF Kenedi

Poeti / kritiku Randall Jarrell që vlerësoi poezinë e Frostit shkroi për të , “Robert Frost, së bashku me  Stevens dhe Eliot, është një nga poetët më të mëdhenj amerikanë të këtij shekulli. Virtytet e Frost-it janë të jashtëzakonshme. Asnjë poet tjetër i gjallë nuk ka shkruar aq mirë në lidhje me veprimet e njerëzve të zakonshëm, monologët e tij të mrekullueshëm me dramatike apo skenat dramatike vijnë nga një njohuri e thellë për botën njerëzore që pak poetë kanë pasur, dhe ata janë shkruar në një dorë e freskët që përdor, me një mjeshtëri absolute të paparë ndonjëherë , ritmet apo të folmen e gjallë amerikane “. Ai gjithashtu vlerësoi seriozitetin dhe ndershmëri e Frost-it”, duke deklaruar se “Frost ishte veçanërisht i aftë të mishëronte një gamë të gjerë të përvojës njerëzore në poezitë e tij.” Shkëputur nga libri në proces mbi poezinë e këtij poeti të madh amerikan në shqip po paraqes për “Diellin” disa përkthime të mia të poezive të Robert Frostit.

Zjarr dhe akull

Ca thonë se bota do të shuhet në zjarr,

Ca thonë prej akullit.

Duke u nisur nga ç kam shijuar nga dëshirat

Jam me ata që  thonë në zjarr.

Por nëse duhet të shkatërrohet dy herë,

Mendoj se  e njoh mjaft urrejtjen

Sa të them se akulli si shkatërrues

Është po aq i madh

sa mjafton.

 

 Imigrantët

Asnjë anije , qoftë  me vela apo avullore

S’ka sjellë kaq njerëz njeri pas tjetrit tek ne

Sa ëndrra e Mayflower e pelegrinëve , prore

Që ysht ankthshëm karvanët nga deti në breg .

 

Hi në sy 

Nëse, siç  thonë ca se hiri i hedhur syve

Do ma ndalte ligjërimin e mençur ,

Unë s’ jam njeriu që mund të bësh prova .

Ndaj le t’ më përmbyt ë hiri gjer jashtë pullazit

Rreth e përreth  si tis bore i kthyer në pluhur ,

Le të më verbojë e të më ngurosë po të mundet.

 

Do të këndoj me -Oi

Kisha shumë kohë shtrirë

Pa fjetur atë natë

Duke dashur që nata

T’i pagëzonte  orët

Dhe të më thoshte se kur

Unë do mund ta quaja natën ditë.

(Dhe pse ende pa gdhirë)

Hoqa dorë prej gjumi.

Bora binte rëndë

Plot me fshikuj pizg ;

Dy vrunduj ere ndesheshin ,

Njëra poshtë në një udhëz

Dhe tjetra më përtej ,

Përlesheshin  në mes  një pluhuri

të butë dhe puplor.

Unë s’mund të them,

Se iu druajta ngricës

Por kontrollova mardhjen

E orës së kullës

Duke ia lidhur bashkë

Dy akrepat e artë

Mu para fytyrës .

 

Pastaj mu dëgjua sikur trokiti një herë !

Me një notë të shuar

Me një aromë si prej dheu,

Qe për çudi qe e shurdhët.

Dhe kulla tha, ‘Ora Një!’

Dhe pastaj diç shndriti mbi kambanore  .

Që zbuloi njerëzit e paktë në shesh

Që duket sikur flisnin me vete …

Nëse erërat munden të zgjohen

Nga ngrohtësia e gjumit

(Meqë nuk i nxora jashtë  shtëpie ).

Ato e lanë stuhinë

Të përplaste  masivisht

Në qelqin e dritares time,

Me një gëzof me rruaza të ngrira.

Por në mes asaj zhurme varri

U dëgjua një zë  “Ora Një”

Më pas

Erërat i folën Diellit

Hënës dhe Yjeve ,

Saturnit , Marsit

Madje dhe Jupiterit.

Akoma më të shpenguara,

Ato i lanë emra t e planetëve

Dhe folën me  germa,

Duke numëruar Sigmat dhe taut

E konstelacioneve.

Më pas pasi mbushën gurmazet

Me trupat qiellorë më të largët

Drejt së cilave njeriu  shpesh dërgon

Spekulimet e veta,

Përtej aty  ku gjendet Zoti;

Ku grimcat kozmike

Nanurisnin  lentet.

Me lëvozhgat e tyre  solemne

Pastaj erërat :

Folën për orën

Për ato rrotat e mëdha

Me dhëmbë të ndërkallura.

Dhe për atë fjalë varri

Ndërsa më pas

Ylli më i madh

Sikur shqiptoi vetëm fjalën : ”Një”

E duke u dridhur i nxiti,

Dhe pse qe aq larg

Vrushkujt e tërbuar të erërave

Të bënin sikur qëndronin

në një stacion të vetmuar .

Duke ruajtur brenda çudinë

Kur ishin me përmasa pa kufi

Dhe vazhdonin të zgjeroheshin

Për t’u bërë një  Supernova ,

Dhe mendoja

Se për sytë e njeriut

Asgjë nuk gjë  s’ka ndryshuar

Me gjithë këta planetë

Përmbi ,

Përreth dhe përposh

Qysh kur njeriu filloi

Ta tërheqë zvarrë njeriun

Dhe kombi kombin, osh.

.

Pyetje

Një zë më tha :Më shih mua ndër yje

Njeri i i kësaj toke  dhe thuama të vërtetën

Nëse të gjitha plagët e trupit dhe shpirtit

Që paguajmë  për lindjen, a s janë tepër?

 


DITE TE ZJARRTA

$
0
0

Nga Reshat  Kripa*/

…Ishte mbrëmje. Fatosi po dëgjonte emisionin qëndror të lajmeve. Spikerja, me një zë që dukej sikur nuk ishte i zakonshëm, po tregonte për një demonstratë që ishte zhvilluar në qendrën e studentëve në kryeqytet.  Fatosit i dukej sikur zëri i saj dridhej. Fliste, por herë pas here, pushonte dhe pas disa sekondave fillonte përsëri.

– E ka nga emocionet, – mendoi Fatosi.

Spikerja fliste për një djalosh, student i fakultetit juridik, që ishte vënë në krye të studentëve. Ajo fliste dhe Fatosi dëgjonte. Një ndjenjë nostalgjie e  kishte  pushtuar. Nuk e di sepse por nga sytë i rrodhën dy pika lot.

– Babi, çfarë ke? –  e pyeti vajza që porsa kishte ardhur.

– Filloi! Filloi! – i tha ai me një zë të gëzuar.

– Kush filloi?

– Furtuna. Furtuna e madhe  që  do  të  fshijë  nga faqja e dheut përbindëshin që na shpërfytyroi, që na sakatosi dhe depersonalizoi.

Shikonte në ekran studentët që njëzëri thërrisnin: E duam Shqipërinë si gjithë Europa dhe para syve  i  dilte fëminia e tij. I dilnin shkrepat dhe  gërxhet  nëpër  të  cilat ishte detyruar të kalonte.

– Edhe   ne  kështu u ngritëm  kunder tiranisë, – i tha së bijës. – Por atëherë ishim në gojën e ujkut dhe duhej të luftonim në ato kushte.

Fatosit  iu  shfaq  para  syve  gjithë  e  kaluara  e largët. Iu kujtuan ditët kur ai së bashku me dy shokët e tij, Mondin dhe Janin, fshehurazi shpërndanin trakte nëpër rrugët e qytetit.

I lindi ideja të shkruante diçka. Por për çudi asgjë nuk i vinte ndër mend për ta hedhur në letër. U mundua më kot për një kohë të gjatë, por frymëzimi nuk donte që nuk donte t’i  vinte.  U  ul  në  kolltuk,  mori një libër dhe filloi ta lexoj por, shpejt e kuptoi se nuk mbante mend asgjë nga ato që kishte lexuar. Hoqi dorë.

Ndërkohë dëgjoi tingujt  e  një  kënge  të  njohur. Nga shtëpia pranë vinte zëri i radios, volumi i së cilës ishte hapur aq shumë  sa dëgjohej në të gjithë bllokun. Ky ishte zakoni i njerëzve në atë kohë. Dueti italian Albano dhe Romina Pauer po këndonin këngën Libertá. Vargjet e saj kumbonin fuqishëm në veshët e tij

Një ndjenjë e çuditëshme e pushtoi. Ishte një ndjenjë dhimbjeje dhe krenarie. Kush  ka provuar robërinë mund t’i ndiejë më thellë vargjet e kësaj kënge.  Ndjenja e lirisë, për të cilën kishte luftuar që fëmi, e bënte që t’i dridhej zemra dhe  t’i  rridhnin  lotë  nga  sytë.Para syve i doli e kaluara.

…Mblidheshin çdo pasdite dhe shkruanin traktet. Kur errej i ngjisnin  mureve të rrugicave dhe shesheve të qytetit. Në mendjen e tij ato rrugica dhe sheshe kishin mbetur ashtu si ishin atëherë. Vrenezi e Muradija, Varoshi e Tophanaja, Çolja e Kumja, Sheshi Kateqit e Sheshi Pashait i dilnin para syve me traktet në muret e tyre.

            Ishin ditë të turbullta. Shpesh herë monotoninë e përditëshme e prishnin avionët e huaj që gëvishtnin qiellin shqiptar dhe që shoqëroheshin me një breshëri të paparë kundërajrorësh  e mitralozësh që mundoheshin t’i godisnin, por asnjëherë nuk ia arrinin qëllimit. Avionët hidhnin trakte ku bëhej thirrje për kryengritje të armatosur. Njerin prej këtyre trakteve  Fatosi  e  kishte  gjetur  në taracën e shtëpisë. E kishte  hapur dhe në krye të tij kishte  lexuar:  

            “Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!” 

            Më poshtë vijonte thirrja për t’u ngritur kundër sistemit totalitart dhe në fund nënshkrimi:  

    Komiteti  Kombëtar “Shqipëria e Lirë”. 

            Ky trakt iu ngulit në mendje dhe, në mënyrë të veçantë, shprehja e shkruar në krye të tij, një shprehje nacionaliste shqiptare, që tregonte përse kishin luftuar ndër vite bijtë e këtij kombi. Ndoshta ishte  ky një nga shkaqet që ai së bashku me dy shokët e tjerë, Mondin dhe Janin, të krijonin  organizatën antikomuniste “Atdhetari” dhe të shpërndanin trakte në qytet. Në krye të çdo trakti shkruanim shprehjen:

           “PërLiri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!”

            Para   se   të   fillonin   aktivitetitin   Fatosi    kishte vrapuar në shtëpi ku kishte marrë një flamur pa yll, që e ëma e ruante në sëndukun e saj dhe që dikur e vendosnin mbi portën e hyrjes së shtëpisë në ditën e Festës Kombëtare. E  shtruan  mbi  tavolinë  dhe  duke  vendosur duart e djathta mbi shqiponjën dykrenore u betuan: 

            “Për liri, pë Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!”

Duke shqiptuar këtë shprehje,  ndien  t’u  lageshin sytë. Ishin lotë dhimbje për lirinë, për atë që u kishte munguar me vite.

            Mësimet pothuajse i kishin harruar fare. Ishin në vitin e parë të gjimnazit. Po afronte fundi i  vitit  shkollor. Një ditë i thirri, Harilla, drejtori i shkollës.

            – Përse kjo rënie në mësime?- u tha. – Ju jeni nxënës të shkëlqyer.

            Ata rinin të heshtur. Nuk dinin si  të  përgjigjeshin. Me veten e tyre mendonin se ishte pikerisht drejtori  ai  që i kishte mësuar ta donin atdheun dhe lirinë dhe për to të sakrifikonin edhe jetën, po të ishte nevoja. Atyre iu kujtohej se kur drejtori fliste per lirinë (ai u jepte lëndën e letërsisë), deklamonte vargje të tilla si këto:

                        Të kisha ah, fuqi prej perëndie,

                        T’i  jepja shkelmin kësaj gjithësie,

                        Dhe të krenja botë tjetër ku të kishte,

                        Çdo plotësim dëshire e lirie! 

Mendonin   se   ëndrrat   mund   të  realizoheshin vetëm me traktet e tyre. Mendonin se ishin të pakapshëm. Por, një ditë, ato u ndërprenë. Ishte maj kur Dhimitri, punonjësi i ofiçinës së qytetit, që më vonë do të  merrte, si shpërblim për shërbimin e kryer, bursë studimi në shkollën e aviacionit në Bashkimin Sovjetik, i denoncoi  në  organet  e Sigurimit të Shtetit.

            Kështu filloi kalvari i përndjekjeve dhe  secili  prej tyre ndoqi rrugën që i kishte caktuar fati. Jani me temperamentin e tij të rrëmbyer u mundua të çante perden e hekurt, duke marrë rrugën e emigrimit, por nuk i eci. Një sëmundje e rëndë e ndau nga jeta, kur sapo kishte filluar ta jetonte atë, kur sapo kishte filluar të bëhej diçka. Mondi i matur dhe i ngadaltë u end për vite të tëra nëpër fshatrat e veriut të vendit duke kënduar me zërin e ëmbël këngën e tij të preferuar ‘’Erëza Malore‘’. Ndërsa Fatosi i   qëndroi   besnik   qytetit   duke    ngritur    mure,    duke ëndërruar për të ardhshmen, duke  ëndërruar  për lirinë.

  Albanua me  Rominën  kishin  kohë  që  e  kishin përfunduar këngën e tyre. Kurse atij vazhdonin t’i buçisnin në vesh vargjet e saj: Io vivrò per avere te!

           Shikonte studentët e Universitetit të Tiranës që marshonin nëpër rrugët e kryeqytetit me parullat  për liri dhe demokraci dhe në to vështronte rininë e tij në ato ditë të zjarrta. Mendonin se do të  ishin  të  përjetshëm,  se  nuk do  të  kishte  forcë  në  botë   që  mund  t’i  ndalonte.  Por mosha në të cilën ishin, nuk i lejonte të shihnin realitetin.

Tanimë kohët kishin ndryshuar. Vala e lirisë ishte përhapur në të gjithë Lindjen, vendet e të cilave kishin muaj që e kishin fituar. Nuk  mund të mbetej prapa Shqipëria. Mjaft ishte vonuar deri më sot. Koha nuk  priste.  Rinia  ishte  ngritur  më  këmbë. Ishte ajo që kishte marrë përsipër përmbysjen e madhe,  të  ëndërruar dhe  të  larë  me  gjak  dhe  vuajtje  për  gati  një  gjysmë shekulli.

*Kjo ditë kishte arritur.

 

 

I ÇMENDURI

$
0
0

GI  DË  MOPASAN- ( Guy de  Maupassant )/

  I  ÇMENDURI/

Tregim/Përktheu: Faslli Haliti/

Jam i çmendur? apo vetëm xheloz? Nuk e di, nuk e di, por kam vuajtur shumë… E pranoj, kam bërë një veprim prej të çmenduri, të një çmenduri të tërbuar; por xhelozia përvëluese, dashuria e ndezur, e tradhtuar, e dënuar, dhimbja e tmerrshme që vuaj, a nuk mjafton e gjitha kjo, të kryejmë krime apo çmedurira, pa qenë kriminelë të vërtetë me zemër dhe me mendje?

Oh! kam vuajtur, kam vuajtur, kam vuajtur vazhdimisht,

thekshëm, lemerishëm. E desha atë grua si i tërbuar… Po a është e vërtetë? A e kam dashur pra ? jo, jo, jo. Ajo u bë padronia e trupit dhe e  shpirtit tim, më pushtoi dhe më prangosi. Kam qenë dhe jam një send i saj, një lodër e saj. I përkas buzëqeshjes së saj, buzës së saj, shikimit të saj, linjave të trupit të saj, tipareve të fytyrës së saj; ndiej të më merret fryma nën zotërimin e trupit të saj; por Atë, gruan, esencën e atij trupi, unë e kam urryer gjithmonë, përbuzur, nëmur; sepse është e pabesë, shtazarake, e ndyrë, e fëlliqur, është gruaja e rrënimit, kafsha epshore  dhe e rreme, pa shpirt, në të cilën shpirti nuk qarkullon kurrë si ajër i lirë dhe gjallërues; është kafsha njerëzore, edhe më keq akoma, s’është veçse një gji, një mrekulli prej mishi të butë  dhe  të plotë, e pushtuar prej Turpit.

Periudha e parë e marrëdhënieve tona qe e çuditshme dhe

e këndshme. Në krahët e saj gjithmonë të hapur shkrihesha në një kënaqësi të tërbuar e të pangopur. Sytë e saj bënin që të më hapej goja dhe të më merrte etje. Në mesditë ata ishin gri, me një tis hijeje si në të blertë në perëndim dhe, të kaltër në agim. Nuk isha i çmendur: ju betohem që sytë e saj kishin pikërisht këto tri ngjyra.

Në orët e dashurisë ata ishin të bruztë, si llumra, me

bebëzat e mëdha e nervoze. Midis buzëve, që i përshkonte një dridhmë, dilte, nganjëherë, maja rozë dhe e lagësht e gjuhës, përpëlitëse si ajo e një zvarraniku dhe qepallat e rënda ngriheshin ngadalë dhe zbulonin shikimin e zjarrtë e të përhumbur të saj që më bënte të çmendesha.

Duke e shtrënguar midis krahëve, shikoja sytë e saj dhe

dridhesha i tronditur nga nevoja  për ta hequr qafesh atë kafshë dhe nga nevoja që ta sundoja pa reshtur.

Kur ecte nëpër dhomë zhurma e çdo hapi të saj më jepte një goditje në zemër; kur fillonte të zhvishej, ajo e linte fustanin t’i binte dhe dilte pise dhe rrëzëllore midis rrobave të saj të rëna përreth; përmes gjymtyrëve, gjatë krahëve dhe këmbëve, në gjoksin gulçues, unë ndieja një përhumbje të pafund dhe të urryer.

Një ditë u kujtova se ajo ndihej e lodhur nga unë. E pashë në sytë e saj ndërsa po zgjohej. Çdo mëngjes, i përkulur mbi të, prisja shikimin e parë të saj. E prisja me tërbim, urrejtje, përçmim nga kafsha e fjetur, skllav i së cilës unë isha. Por kur e kaltra e zbehtë e bebëzës, një e kaltër e kulluar si uji dukej ende e fikur, e lodhur, e sfilitur nga përkëdhelitë e mëparshme, e ndieja veten të mbështjellë nga një afsh i menjëhershëm dhe që më digjte, duke e bërë më të ashpër afshin tim. Atë ditë kur ajo hapi qepallat, pashë që shikimi i saj ishte mospërfillës dhe bosh,  pa pikën e dëshirës.

Ah! e pashë, e mësova, e ndjeva, e kuptova menjëherë. Kishte marrë fund, fund për gjithmonë. Dhe këtë e provova çdo orë, çdo minutë.

Kur me krahë e me buzë doja ta tërhiqja nga vetja, ajo kthehej nga ana tjetër duke mërmëritur: – Lërmëni të qetë! – ose: – Jeni i urrejtshëm – apo edhe : – Nuk më lini fare të qetë!

U bëra xheloz, xheloz si një qen dhe dinak dyshues,

shtirak. Isha i sigurt se nuk do të vononte dhe një tjetër do të fillonte t’ia rizgjonte ndjenjat.

U bëra xheloz i tërbuar; por s’jam i çmendur; jo, sigurisht që s’jam i tillë.

Prisja; oh! Përgjoja; s’do të mund të më tradhtonte; por mbetej e ftohtë, e papranishme. Ndonjëherë më thoshte;  – Burrat më ngjallin neveri. – Dhe kjo ishte e vërtetë.

U bëra xheloz për të, për gjithçka: xheloz për mospërfilljen e saj; xheloz për vetminë e netëve të saj; xheloz për sytë e saj; për mendimet që i ndieja të urryera si gjithmonë; xheloz për gjithçka që arrija të vija re. Dhe nëse ndonjëherë në zgjim e sipër shikimin e kishte të mekur, i cili më parë ishte pasojë e netëve tona të zjarrta, sikur epshi të kishte rizgjuar dëshirat e saja, e ndieja veten të mbytur nga hidhërimi, dridhesha nga zemërimi dhe më kapte një tërbim sa më vinte ta mbysja, ta kërrusja nën gjunjët e mi që duke e shtrënguar për fyti, ta detyroja të rrëfente të fshehtat e turpshme të zemrës së saj.

Jam i çmendur ? Jo.

Gjersa një mbrëmje e ndjeva se ishte e lumtur. Ndjeva që dridhej nga një pasion i ri. S’isha i sigurt, shumë i sigurt. Dridhej njëlloj si pas përkëdhelive të mia; vështrimi i saj flakërinte, duart e saj përvëlonin, i gjithë trupi i saj drithërues përhapte atë erë dashurie që më kishte bërë si të çmendur. U hoqa sikur s’kuptova gjë, por në mendjen time e kisha futur në rrjetë.

Megjithatë s’arrija të zbuloja gjë.

Prita një javë, një muaj, një stinë të tërë. Ajo lulëzonte  e mbështjellë në flakërimat e një dashurie të panjohur, kënaqej e lumtur nga ato përkëdheli të pakuptueshme.

E kuptova menjëherë ! nuk jam i çmendur, ju betohem, nuk jam i çmendur.

Si mund të shpjegohem më qartë ?   Si t’ia bëj që ju të më  kuptoni më mirë? Si ta shpreh një gjë kaq të urrejtshme dhe të pakuptueshme ?

Ja si e kuptova.

Një mbrëmje, jua  thashë, një mbrëmje ajo u kthye nga një shëtitje me kalë, me mollëza të përflakura, me gjirin drithërues, me këmbët që s’e mbanin, me sytë e mavijosur. U lëshua mbi një karrige të vogël përballë meje. E kisha parë dikur kështu! Ishte e dashuruar ! S’gabohesha !

Ndjeva të më merreshin mend dhe, për të mos e parë, u ktheva nga dritarja. Pashë një shërbëtor i cili duke mbajtur për freri kalin e saj të bukur që tërhuzej, po e çonte në stallë.

Edhe ajo e ndiqte me vështrimin e saj kafshën e vrullshme dhe çukërmuese. Dhe kur kafsha u zhduk, atë e zuri gjumi menjëherë.

E kalova gjithë natën duke menduar; më dukej se po arrija të kuptoja disa të fshehta për të cilat deri atëherë as që  kisha dyshuar. Kush mund ta hetojë vallë mbrapshtinë e ndjenjave të grave?  Kush mund t’i kuptojë tekat e tyre të padëgjuara dhe kënaqjen e fantazive ende më të  e çuditshme ?

Gjatë  gjithë mëngjeseve, duke zbardhur dita, ajo galoponte në fushë e në pyll dhe kthehej përherë e këputur si pas një dashurie të  tërbuara.

E mora vesh! Tani isha xheloz për atin nervoz  galopues; xheloz për erën që përkëdhelte fytyrën e saj, kur lëshohej në ato vrapimet e çmendura; xheloz për gjethet që i puthnin veshët, kur kalonte; për reflekset e diellit që i binin mbi ballë përmes degëve; xheloz për shalën që e mbarte  dhe që ajo e shtrëngonte mes kofshëve.

Ishin të gjitha këto gjëra që e bënin të lumtur, që e entuziazmonin, e ngopnin, e rraskapitnin dhe ma bënin të pandjeshme dhe gati të zalisur.

Vendosa të hakmerresha. U bëra i sjellshëm me të dhe gjithë përkujdesje. I zgjasja dorën që ta mbaja kur ajo hidhej në tokë pas kthimit nga vrapimet e saja të shfrenuara. Kafsha e harbuar më sillte me shqelma, ajo e zbuste duke i përkëdhelur qafën e përkulur, e puthte në flegrat fërgëlluese dhe nuk fshinte as edhe buzët; dhe era e trupit të saj të njomur si e ngrohtësisë së shtratit, përzihej në fejzat e mia me duhmën e vrazhdët të kafshës.

Prita ditën dhe orën e përshtatshme. Çdo mëngjes ajo kalonte nëpër të njëjtin shteg, përmes një pylli me mështekna që futej si pykë në të.

Dola para se të zbardhte dita me një litar në dorë dhe me pistoletën e fshehur në gji sikur po shkoja të ndeshesha në duel.

Arrita me vrap në rrugën që pëlqente ajo; shtriva litarin midis dy pemëve dhe u fsheha mes barërave.

Vura veshin në tokë; ndjeva trokun që larg;  pastaj e pashë atë të vinte me të katra atje poshtë nën kurorën e degëve.

Oh! S’u gabova! Ishte siç mendoja ! Ajo ishte e hareshme, faqet i kishte të purpuruara  dhe marrëzinë në sy; lëvizja e rrëmbyer e vrapimit e bënte t’i fërgëllonin nervat me një kënaqësi të vetme dhe të furishme.

Kafsha u pengua në litar me të dyja këmbët e prapme dhe u rrokullis me brinjët e thyera. Ajo ra në krahët e mi. Jam aq i fortë sa mund të mbaja edhe një ka. E hodha përtokë dhe iu afrova Atij që po na vështronte. Ai kërkoi të më kafshonte akoma, por unë i vura pistoletën në vesh … dhe e vrava…sikur të ishte njeri.

Rashë përtokë dhe unë me fytyrë të shënjuar me dy kamxhikë dhe meqenëse ajo m’u vërsul mbi kurriz ia zbraza  në bark plumbin që më kishte mbetur.

Më thoni, a jam i çmendur ?

Përktheu: Faslli Haliti

KUR VETMJAFTOHESH ME ATË QË TË DHURON FATI I JETËS

$
0
0

NGA PËLLUMB GORICA*/ Jeta është një rrjedhë e fuqishme në kohë dhe hapësirë. Atje ku mendohet se ajo është futur tërësisht në brigjet e saj, ngjarje tinëzare gremisin të natyrshmen. Në labirintet e realitetit të saj, në gurgullimat, oshëtimat dhe vështirësitë ndodh që njeriu burgoset brenda kornizave të ndjenjave dhe ndërgjegjes së tij të vrarë. Atëherë shumë pikëpyetje mbesin të ngrira në ajër. Ku është e keqja është edhe e mira. Aty ku është gëzimi është edhe trishtimi. Aty ku është ferri është edhe parajsa. Aty ku është humbja, është edhe lavdia. Aty ku të rrethon trishtimi, angështia, ku t’i thua se tani më mori lumi e u katandisa i pushtuar nga monotonia, duke u kokolepsur,një zë të orienton me urtësi për të dalë nga ky qerthull, dhe për të kapur njerëzoren e rrjedhës.
Të gjitha këto të papritura të larmishme të jetës, mundohet t’i ngërthejë brenda tregimit të saj, “Profil vetëmjaftueshmërie”autorja Lida Lazaj, e njohur tashmë për lexuesin tonë.
Një grua që i ka vdekur i shoqi e vret vetminë, duke i shkuar çdo ditë “në takim” tek varri me një tufë lule në dorë, me mendimin se jeton më shumë me të kaluarën se sa me të tashmen, e zbehur përkohësisht nga ndjenjat e shterpëzuara, dhe vitet e vështira të jetës, mundohet që përsëri kafen e mëngjesit ta pijë me bashkëmoshatarin e saj, Klitin. I tillë është subjekti i tregimit “Profil vetëmjaftueshmërie”, ku jeta monotone ka strukur në një rreze të saj një grua fatkeqe me emrin Elenë. Ajo rri gjithë ditën brenda shtëpisë, fshin pluhura dhe shikon albume, mundohet të ndalë e rikthejë jetën pas, kohën që ka ikur. Mendimet e mbyllin në një zymti dërrmuese, dhe si një sëmundje që gërryen përbrenda shpirtin e ndjen ngushtësinë e tij. Ajo tashmë e thithur nga monotonia e jetës sikur është bërë materie e ngurtë, është sendërtuar. I ngjan vetja send ose objekt mes orendive të shtëpisë, me të vetmen ndryshim: “merrte frymë”, shkruan autorja, për Elenën. I duket se edhe krimbi i mërzitjes, rrezja e diellit që hyn nga dritarja e dhomës e bën të vuaj edhe më shumë, pasi mendon e kupton që bie në donkishotizëm, ndaj nis e loton. “Vajtonte me fjalë, në regjistrin më të ulët të zërit. Qaj-qaj i thoshte vetes, kush tjetër do t’i qajë ëndrrat dhe dëshirat tuaja të vdekura” -shprehet autorja, duke arritur të futet artistikisht në të fshehtat e ndërgjegjes së personazhit. A ka forcë të dalë nga kjo gjëndje rraskapitëse e shpirtit? Elena në butësinë trishtuese, por më shumë me vështrimin e sinqertë për atë që ndodh, përpiqet për një ndryshim të gjendjes shpirtërore, ndjenjë e cila përzihet me brengën dhe në këtë pushtim të vetmisë, ndjen keqardhje për këtë gjendje që nuk e fsheh dot. “Ditët rrokullisen pothuajse njësoj” me vetëmbylljen e saj. Duhet ndryshuar kjo gjendje. Takimi me bashkëmoshatarin e saj, Klitin sikur zgjon diçka shpresëdhënëse, megjithëse autorja këtu nuk thotë atë që lëngëzon zemrën e tharë të vejushës. ‘‘Dy të moshuar shquanin dhe në hapin më të ngadaltë ngutjen që tek ata e kish humbur prej kohësh kuptimin”. Por jo vetëm kaq, të moshuarit edhe pse pleq kanë nevojë të shijojnë jetën dhe më shumë të marrin hak për ato gjëra që u kanë mbetur pishman në jetë. Elena e kupton se jeta jashtë saj gjallon, përtërihet, ndryshon, ecën, herë me ritme të ngadalta e herë të vrullshme, por ajo nuk e ndjen veten zonjë më pas vdekjes së të shoqit, ta ndjekë me hapin e saj të mplakur. Autorja Lida Lazaj, këtu mundohet, duke e zhytur Elenën në kujtime rinore, madje, duke kujtuar libra që kishte lexuar për dashurinë, por edhe atë krahasimin me të dashurën e mplakur të shkrimtarit Gabriel Garsia Markez, në romanin “Dashuri në kohën e kolerës”. Elena mundohet kështu që të mbush boshllëqet e zemrës së saj me ç’të mundet dhe ‘‘që hyjnë si një refren i shkurtër gazmor në mes të një melodie monotone”, ku i ndërthur me takimet e bashkëmoshatarit të saj Klitit, por edhe më shumë, duke dërguar çdo ditë lule tek varri i të shoqit. Nostalgjia te ajo është kalimtare, e nuk i bëhet brengë. Jeton dhe shijon aq sa i premton mosha dhe aq sa i duhet. Kjo është Elena me gjithë vështirësitë e jetës së saj plot tallaze, me largimin e fëmijëve, humbjen e bashkëshortit, ekzistencializmin. Në fund të tregimit, Elena zgjohet dhe sikur rrezaton shpresa të reja. Por ajo nuk mjaftohet me të shkuarën e saj. Dëgjon tingëllimën e telefonit dhe mendon për fëmijët, për rrugën e së ardhmes që ecin ata. “Fëmijët me krahët si zogjtë e forcuar, kishin fluturuar në të tjerë qiej” – shkruan autorja. Ndaj autorja vë në gojën e Elenës edhe këto fjalë: “Koha që tjetërson gjithçka, lastarët i bën lisa, djelmoshat burra dhe vashëzat gra”. Ndaj sikur kënaqet në vetëmjaftueshmërinë e saj. Ëndërra që sheh shpirtin e vet si një shpend, i hyn e i del kraharorit dhe përmbyll profilin e saj të vetmjaftueshëm.

Jeta pulson me ritmin e kohës, dhe këto përmasa ndjesore sikur ja zbusin sëmbimet e dhimbjes. Ç’hapësira paska për dhimbjet koha kur kalon, sepse jeta ecën, vazhdon, e kurrë nuk ka vetëmjaftueshmëri.

*   (Lida Lazaj në tregimin “Profil vetmjaftueshmërie”)

HIJA

$
0
0

Tregim nga Fotaq Andrea/*

Nga libri “La Pierre de l’âme”,“Guri i shpirtit”,  botuar  në  Francë, 2015/

 Shpirtrat janë pilivesat e hijes/

Viktor Hygo/

Hije më thonë,/

Tek vij që nga errësirat e kohës,/

Gjithkënd e gjithçka të shoqëroj,/

Në kurorëzim e shkurorëzim me dritën,/

Edhe diellin sundoj./ 

E pavdekshme jam, në Jetë e në Përtejjetë,/

Shoqëruese e shpirtit në shtegtim të gjatë./

Rrëshqas e depërtoj kollajshëm gjithandej,/

Përherë me vete mision e mister tek mbart./

E thjeshtë jam në përbërje,/

Lakuriqësi e marrtë./

 Mes ëndrrës edhe zhgjëndrrës, në vegim e ag,/

Dridhem, luhatem, regëtij,/

E vetëtij,/

Kujtim tek jam, mbijetesë e shenjtërim,/

 E dukshme dhe e padukshme,/

Në vetëdijë e pavetëdijë./

Po vij, të dashur miq, duke ju drejtuar juve, dhe jo nopranëve, t’ju flas, një e vetme, e përbashkët për të dy. Sepse edhe vetë ata, të dy, u shkrinë, u tretën brenda shoshoqit, u shndërruan në një dritësi të njëtrajtshme, me shpirtra të përpuqur. I shoqërova, unë hija, nga fillimi në fund, në atë fund pa fund, dhe vij t’ju dëshmoj, t’ju rrëfej – në kini pakëz durim -, gjithë sa pashë me sy, gjithë sa dëgjova me veshë, sa preka me dorë, sa fola me fjalë nga vetë gojë e tyre, tek i përkëdhela, i qetësova, i përgjova, i përgjuma, i rizgjova e i përgjuma sërish, në atë luftë e ngërthim mes jetës e vdekjes.

Se s’e kisha të lehtë, edhe pse u orvata të vë baraspeshën midis lumturisë e dhimbjes, shpresës e fatalitetit, të qeshurës e të qarës, zgjimit e gjumit. S’kam qenë dhe s’do jem kurrë armike e vdekatërve. Kam qenë dhe jam e zellshme për t’i ndërgjegjësuar e përjetësuar.

Dëgjoheni miq rrëfenjën time, me gjakftohtësi, pa pasion marrak, dhe nuk dua të më jepni të drejtë, ashtu sikurse nuk dua të gjykoni a të peshoni ligjin fillestar, përfundimtar dhe fundfillestar, të tejtejshmen pavdekësi. S’dua t’ju mbaj leksion, ca më pak ndoca konfuzëve ateistë, për materien e imaterializuar, apo materien mendim e të teorizuar të relativitetit ajshtajnian. Dua t’ju flas me një gjuhë konkrete, mbase edhe disi të thekshme e të prekshme, por krejt të ndryshme nga gjuhë e ashpër e bunkerit, shi në atë kohë të bunkerit. Sepse, e gjithë sa ndodhi, filloi aty, e mbaroi aty, në kohë e në hapësirë të betontë. Në gjumë të tokës mëmë, ata, të dy, Mira dhe Miri, të mirë si vetë buka që hanin, janë duke u prehur tashmë përjetësisht…

Ishin ditë të bukura, plot diell e jetë, me gëlim e gumëzhimë natyre, me vallëzim fluturash e kandrrash, me cicërima e ciatje, me aroma erëndjellëse e erëdehëse bimësh dhe pemësh në lulëzim, mes një kaltërsie qiellore të tillë që ta përpinte shikimin. Gëzonin ata, gëzoja dhe unë hija, lodronin ata, lodroja dhe unë, në atë shëtitje të bukur të dëshirës dhe ëndrrës rinore, larg qytetit, zhurmës, vështrimit gjuajtës dhe gjuhës vrastare.

Po shijonin pranverë, pranverë natyre e moshe, po shijonin një të diel në diellësi, në atë vetmi të praruar që të fal gjiri i natyrës me lëng jetësor, duke u rrekur me eth e epsh shoqmëshoq në butësinë e shtufës, në shtrat të shqopës. Putheshin, përqafeshin, pinin e përpinin në buzët e njëri-tjetrit me krejt zjarrminë e dashurisë. Duheshin marrëzisht, por edhe druheshin po marrëzisht, e trembeshin si zogëza para skifterit nga një realitet shoqëror që i bënte të lëngonin. Se ç’ishin, fundja, të rinj engjëllorë, jo më shumë se shtatëmbëdhjetë pranvera!

Dhe ja, në një çast të tillë të trëndafiltë, plot dashuri të kulluar, veç kur ndjejnë hapa së largu, një fishkëllimë të gëzueshme mashkullore. Ajo e shkretë zu të dridhej, « se mos i kapnin », siç tha me aq pafajësi. Ai, më i qetë, i vuri dorën te goja, dhe ashtu të fshehur në shqopishtë, panë tek kaptoi shtegun poshtë tyre një djalosh i gëzuar ushtar, që tundte rripin, me xhaketë shkopsitur dhe pa kapë mbi krye. Iku në punë të vet.

Atëherë, ata menduan të ktheheshin në shtëpi. Po prapë, kishin bërë dy orë rrugë në këmbë që nga qyteti për të mbërritur aty, në gji të natyrës kondrinore, thjesht për atë gjysmë orën e tyre të artë që kaluan së toku. Pesëdhjetë metra përmbi ta, një tunel ushtarak, beton i gjallë, rrinte gojëshqyer, si i habitur nga prani e ngrohtë njerëzore, që kish guxuar të dhunonte mjedisin e tij të militarizuar gjithë transhe. U joshën të rinjtë tek panë në krahë të tunelit një mimozë mizore me verdhësi shpërthyese. Djaloshi mori përpjetë, drejt pemës tunduese, për të bërë një tufë lule, tek tërhoqi vashën nxitimthi pas vetes. Gjithë harbim, zunë të mbledhin mimoza e të qëllonin shoshoqin me pjalmin dhe pushin e kokrrave verdhore që mbushnin degëzat…

Sërish ndjenë hapa dhe zëra bashkë. Këtë herë më pranë tyre, nga sipër. Ashtu siç qenë, braktisën lulet dhe vetëtimthi u futën në gojë të kuçedrës tunel. Ishte i ftohtë, i errët, bosh, si vetë boshësia asgjësuese. Hapat u afruan, u afruan edhe më, u ndodhën mu te pragu. Ata u bënë njësh me errësirën, rrafsh me paretin e ftohtë të çimentos. Befas, dëgjuan një zhurmë të fortë, shndërruar aty-aty në rrapëllimë oshëtitëse, që i ngriu në vend, i shtangu krejt, dhe përfundimisht, ndjenë një kërcëllimë fatale hekuri që burgosi betonin. Përpara tyre u shua gjithçka, u shua dielli, u shua qielli, krejt natyra. Porta e tunelit qe mbyllur rrëmbimthi, shulosur përgjithnjë.

Pas një çasti hutimi fatal, ata u hovën drejt portës, zunë t’i bien me grushte, ia dhanë klithmave e ulërimave :

– Hej, hape ! hape, hape, hapeeee !!!

Po kujt i binin se ! Nuk ishte më portë, por masë betoni gjysmë metër trashësi, mizore si vetë lufta, që i bënte grushtet e tyre të pambukta dhe klithjet e tyre të shurdhëta. Nuk reshtën gjysmë ore së brituri e së godituri mbi portë, me lot e klithma, vajtime e përgjërime. Luteshin me aman e derman « Hape, hape, o none, hape ! » sa të këpusnin shpirtin…

Domosdo, edhe ju, të befasuar e kureshtarë, do dëshironit një përgjigje për pyetjen që po ju djeg tashmë majën e gjuhës : « Po çfarë ndodhi, xhanëm ? »

Ndodhi ajo që s’duhej kurrsesi të ndodhte : një çast i pandreqshëm, i kobshëm. Ushtarët kishin marrë, atë ditë, urdhër nga eprorët, dhe këta nga lart, nga vetë Makinë e Luftë-Mbrojtjes, të mbyllnin tunelet me portat e rënda hermetike, përllogaritur shkencërisht që edhe gazin e shpërthimit bërthamor të mos e filtronin ! Flitej se bunkerët dhe tunelet e shumtë, si mizë lisi gjithandej, në male, fusha, kodra, qytete, fshatra, varreza, fabrika, rrugë, bregore, gjer edhe te vetë Truri Qendror i Big Brother, po frekuentoheshin në atë kohë, shpesh e më shpesh, nga njerëz për do punë personale, por sidomos nga çifte të dashuruarish, dhe kish rrezik në atë rast se mos  nevojtorizoheshin apo çnderoheshin bunkerët dhe mos përdhosej ushtria!…

Fjalët mbase s’do mjaftojnë këtu për të përshkruar tragjedinë që sapo kemi nisur të rrëfejmë, por kur një nga ushtarët e gjorë që mbylli atë portë makabre aq vetëtimthi, mori vesh se kish murosur për së gjalli dy të rinj, luajti nga mendja dhe u lirua parakohe, si i paaftë për ushtri. Por sot e kësaj dite është i paaftë edhe për jetën e tij !

Besoj do më besoni tani se ç’barrë të rëndë mora përsipër nga çasti që u mbyll njëherë e përgjithnjë bota para atyre engjëllorëve.

Si u rraskapitën e dërrmuan grushtet dhe krahët mbi portë, si u ngjirën e u mbytën në lot, kërkuan këmba-doras, në çdo qosh të territ, në mund të gjenin diçka të fortë. Gjetën vërtet një shufër hekuri dy pëllëmbë të gjatë, mbetur nga saldimi, një arkë ushtarake shkatërrinë, ca gjethe të thara që kish kuturisur aty era, njady bishta cigareje dhe… asgjë tjetër. Zunë t’i bien me shufrën e hekurt çivive të mëdha, duke dashur të jepnin kësisoj alarmin. Po ç’të thuash : a mund të japë një mizë alarmin duke u rrekur të tundë çokun e rëndë të një kambane të madhe majë një kulle të lartë ? Shqyen atëherë arkën, rrëmbyen dërrasat e saj kalbësirë dhe zunë t’i bien betonit shurdh e memec. Ishin egërsuar në mënyrë të tillë sa pandehnin se vërtet do t’i shqyenin, dërrmonin e copëtonin ato mure gjysmë metri të trasha, por shpejt u copëtuan e u thërrmuan vetë dërrasat e ata u përgjakën si mosozot nga duart. Nuk përmbaheshin më, edhe pse forcat po u shternin, dhe nisën asohere të vërtisnin vetveten mbi portë, tek përplaseshin mbi të, duke u rropatur ta lëviznin nga vendi, ta shkulnin, ta shpërthenin.

U shembën nga mishtë, u shembën nga kockat dhe… e para u zalis vasha. Ai, i miri Miri, e rrëmbeu në krahë, e shtrëngoi në pëqi, e puthi dhe e shkundi disa herë për ta sjellë në vete. Me njëmijë të thirrura, me njëmijë lot e të lutura, e përmendi. Nisi të qante e të qeshte njëkohësisht, mes gëzimit e hidhërimit.

Vetëm në atë kohë, mes demonëve agresivë të shkretëtirës beton dhe demonëve të marrëzisë njerëzore, m’u dha rasti të ndërhyj. Deri atëherë, e kisha të pamundur të veproja për t’i qetësuar sadopak. Kishin kaluar mbi dy orë dhe, me sa duket, të lëshuar krejt, djaloshi, i pari, kërkoi t’i thërrasë arsyes:

– Mos u mërzit Mira, mos u bëj merak, do dalim, ke për të parë ! Do vijnë prapë ata dhe do e hapin portën. Mbase na kanë parë, dhe po bëjnë shaka, sa të na trembin një çikë. Me siguri na kanë dëgjuar ! Sa të mbarojnë drekën dhe do vijnë. Këtej, ata bëjnë stërvitjen, nuk i vure re transhetë ? Hë, më thuaj ? – Mundohej kështu ta bënte të fliste, tek e puthte dhe e përkëdhelte në faqe, flokë dhe mbi kapakët e rënë të syve.

Ajo rënkoi, ndjeu dhimbje në tërë trupin, dhe zu një hop të dridhet, pa thënë një fjalë. Ai sërish u tmerrua, tek pandehu se Mira e tij do përpihej në humnerë të kllapisë.

– Kam ftohtë ! – foli ajo me zë të hollë, si të kish frikë se mos nxiteshin e i hoveshin përsipër demonët e zinj të tunelit.

Ai hoqi trikon e pambuktë dhe ia veshi shpejt e shpejt, duke u munduar ta ngrohë sa më parë me afshin e parë të trupit të tij të sapozhveshur. E puthte dhe e puthte, për t’i përcjellë tërë ngrohtësinë e qenies së vet, e përkundte dhe s’reshte një grimë së foluri :

– Po Lumes, i the që do vinim këtej ? Mbase do vijnë e do na kërkojnë ata !

Ajo tundi kokën në shenjë mohimi, psherëtiu thellë dhe zu të qajë në heshtje, në prehër të tij. Ai i rrufiste lotët, tek e puthte lehtë, pa kuptuar tashmë në pinte nga lotët e saj apo të tijtë. Ajo e kish mbërthyer nga qafa dhe e mbante shtrënguar, si të mbahej fort pas një direku anijeje të mbytur në atë oqean errësire e guri. Një Zot e di, ndonëse unë vetë jam edhe hija e Perëndisë, sa ndenjën ashtu të lidhur, për t’i përcjellë shoshoqit sadopak forcë, besim e shpresë…

Tashmë mund të ndërhyja tërësisht, e t’u ndihja aq sa mundja. Rrëshqita përtej tunelit dhe i nxora jashtë… mes ëndërritjes. I shpura turravrapazi, atë pasdite të vonë, secilin në shtëpi, ku u përligjën te mami e babi për vonesën, (megjithëse të sharat, të bërtiturat e kërcënimet nuk munguan). I ula në tryeza, njëra tek përlau tre copa byrekë, racionin e saj që nga dreka (se mami çdo të diel bënte byrek), dhe tjetri tek hëngri një pjatë gjelle dëng me patate e mish, si gjella më e mirë e javës për familjen. I kish marrë uria, ndaj dhe u përcolla fragmente të tilla vatre të ngrohtë familjare. Si hëngrën, (shi atë hop kur zorrët kishin nisur tashmë t’u ulërinin egër), i çova nëpër shokë e shoqe të klasës, ku nuk munguan të tregojnë ndodhinë e tyre të tunelit, por jo pa një çikë humor, për të mos e bërë tragjike. I shëtita rrugëve me diell të qytetit, i shpura për të blerë akullore dhe i ula në një stol të parkut të vetëm buzë bulevardit, ku bënin shëtitjen dhe parakalimin e gjatë darka me darkë…

Atë çast, e para u hov sërish Mira, tek iu shkëput djaloshit nga krahët dhe u lëshut drejt portës për ta shtyrë me gjithë marrëzinë e vet, me klithma tejshpuese të shpirtit por jo të betonit të pashpirt. Nuk donte, nuk pranonte kurrsesi të kalonte natën aty, e bindur tashmë që muzgu kish rënë në jashtësi dhe terri po e tmerronte më shumë se kurrë. Zu të përplasë kokën pas betonit, të shkulë flokët, të çjerrë veten dhe t’i vërvitet Mirit si skifter me kthetrat hapur, për t’i rrëmbyer nga gjoksi shpresën dhe lirinë në ekzistonin në qetësinë e tij ende të paçmendur. E akuzoi atë, akuzoi dhe vetveten : « Pupu ç’bëra ! pupu ç’bëmë ! Ti e ke fajin ! Pse hymë këtu ? Ç’deshëm që hymë ? Po tani ? S’do dalim më ! Si do dalim që këtej ? » dhe njëmijë pyetje e përgjigje bashkë, tronditjeje e llahtar njëkohësisht. Ai mundohej ta mbërthente nga krahët, t’ia mposhte djajtë e skëterrës dhe ta sillte në vete, akoma i fuqishëm për t’iu lutur e përgjëruar :

– Aman të keqen, mos bëj kështu ! Mendo më mirë si të dalim që këtej !

Si u lodh nga ulërimat e u dërrmua nga dëshpërimi, ra në gjunjë, pa bëzajtur më. Heshtja e saj tashmë ndezi Mirin, tek u ngrit dhe iu vërvit edhe ai errësirës me zë buçimë :

– Po ne jemi gjallë, jemi gjallë, do dalim se s’bën ! Më kupton ? Më kuptooon !…

Dhe ra mbi të për ta mbërthyer fort në gjoks. Vijuan të rrinë kështu të lidhur një trup, me të vetmen kohëmatje, rrahjet e forta të zemrës dhe vërshimin e gjakut tëmthave.

Sërish m’u dha mundësia të ndërhyj, t’i përkundja në djep të ëndërritjes. Mund edhe t’i nxirrja përsëri jashtë, por do ishte vegim shkatërrimtar, si radhën e parë. I lashë atëherë të ruanin baraspeshën në njëfarë qetimi. Shpirti m’u bë copë tek i shihja në zi për së gjalli. Dhe shihja rrezik të madh tek demonët e brendshëm të betonit, vërtet në mbretëri të tyre, por që vetëm rastin prisnin të hidheshin në mësymje përfundimtare.

E pafuqishme për të luftuar këta demonë të luftës, duhej doemos të bëja diçka, qoftë edhe një gjest të vogël, për t’i neutralizuar sado pak.

Jashtë, ishte natë kur dola e vetme për të biseduar me mikeshën time, hijen e eprorit të repartit ushtarak, ndonja pesë kilometra larg që andej. I qava hallin për dy të mjerët e betonuar për së gjalli dhe ajo më premtoi se do të më ndihmonte me sa të mundte…

Mikesha ime, duhej ta kish ngacmuar me siguri në vesh atë komandant bunker, me ndonjë nga mesazhet tona ekstra të vullnetshme e të pavullnetshme, sepse nuk vonoi dhe ai dha urdhër (sipas urdhrit që kishte marrë, për më tepër !), të ndizeshin dritat e zbehta të tuneleve që kishte në vartësi. Të bëhej një veprim i tillë, kur popullata e qytetit më të afërt vuante për mungesë energjie elektrike, ishte gjëja më e zakontë për një vend të bunkerizuar. Duhej zbatuar urdhri nga lart që fortifikatat të mbaheshin herë pas here të ndriçuara dhe të pastra, në gadishmëri të plotë, e sidomos për t’iu « ruajtur nderin » nga dashnorë çamarrokë. Sepse jo të gjitha fortifikatat qenë të pajisura me dyer të blinduara.

Tek ra befas drita e zbehtë në tunelin e tyre, Miri e Mira shqyen sytë mes dënesës e lotëve. Ç’të qe vallë ajo ëndërr torturuese që po tallej me ta ? U hovën përpjetë në gaz e vajtim, duke pandehur një hop se qe shpërthyer vetë tuneli.

– Shpëtuam, shpëtuam ! – ulërinë me sa në kokë.

Të gjorët ata ! Atë dritë fijehollë e morën për vetë yllin polar, që krejt errësirë e mendjes ua përflaku në mijëra yje të tjerë. U turrën nga porta për ta shtyrë, por veç kur e panë veten të shtyrë egërsisht drejt thellësisë së tuneltë.

Tani, nuk përmbaheshin më. Gjithë djajtë të bashkuar zunë të kërcejnë një valle të shfrenuar, kush e kush t’i shkulte nga flokët, t’i shqyente nga rrobat, t’i çirrte nga mishtë. Kaluan kështu një orë të tërë të demonizuar, aq sa të shkrehur në vaj, u zalisën përdhe. Nuk i lashë shumë kohë në prehjen zali, por i vura në gjumë të rëndë. Ndonëse shpesh djajtë u suleshin dhe ua copëtonin gjumin, sepse i pashë të shkretët si hoveshin përpjetë të lebetitur dhe si përplaseshin të dehur e të shkrehur mbi ftohtësi të mureve…

Në zgjim, që për ata qe mëngjes i ditës së re, por që në fakt kishte kohë që qe thyer edhe dita e re, iu sulën sërish portës më me shpresë, por më pak të fuqishëm. Lutjet e klithmat e kishin humbur forcën e tyre, tek shndërroheshin në rënkime e bëlbëzime, gati në fikje, të ngjirur siç qenë. Burimi i shpresës së re qe tanimë drita e pafikur, që kish filluar t’u bëhej hyjnore, edhe pse asnjëherë s’e kishin shkuar nëpër mend të kundronin hyjnitë e thellësive të qiellit. E mbanin vështrimin ngulur mbi të, duke kërkuar telin e korrentit në thellësi të kubesë, po as edhe një gjurmë nuk dukej. Ai qe betonuar si vetë ata. Kërkuan për çelës, por kurrkund as çelës : vetëm ca pezhishka, që vishnin paretet e mureve. Zunë të zvarren e të rrëshqasin përgjatë betonit, dhe tmerroheshin nga unë, hije e tyre, që isha bërë tanimë zot i vendit. Kërkonin me sy një të çarë, një të plasaritur, si të kërkonin ndonjë galeri nëntokësore, u binin mureve me grusht, por hasnin kudo vetëm jehonë të thellë mali, që kumbonte mbytur, beton e ashpërsi betoni.

Një hop, Mirit i vetëtiu në mendje një ide : i tha Mirës të ngjitej mbi supet e tij dhe të mundohej të thyente me shufrën e hekurt xhamin e trashë që kish murosur llambën nën kube. Pa e kuptuar gjer në fund mendimin e tij për të bërë qark të shkurtër e për të dhënë kësisoj, në njëfarë mënyre alarmin në repart, ajo rifitoi një energji të re, tek pandehu se çdo thyerje qe për ta një dalje, një shpërthim, një shpëtim. Nisën ahere të akrobatohen mbi shoshoq, me këmbët që u merreshin, kush e kush më lart, e kush e kush në majë të gishtërinjve, të mbajtur nga ftohtësi akulleme e mureve, për të arritur më në fund llambën. Përpjekje e dështuar foshnjarake, se duhej edhe një gjysmë metri, ai gjysmë metër fatal, për të arritur të paktën në pikën më të lartë të kubesë. Ajo vërtiti atëherë, me gjithë fuqinë e pafuqisë, hekurin mbi xhamin e trashë telëzuar nga brenda, që bëri një zhurmë të mbytur, sikur të donte ta qesëndiste, tek ia ktheu mbrapsh, si të papranueshëm, copëzën e hekurt. U shembën të dy përtokë, të ekzekutuar nga vetë mendimi i tyre, me sytë e shqyer në drejtim të tavanit.

Tashmë, ishin telendisur aq keq, në shterje të plotë të çdo energjie, sa ua mblodha mendjen me të vetmen fijeshpresë e mendim të ngulët në kokë : « Do vinë…, do vinë se s’bën…, po kur do vinë…, do vinë …, po pse s’po vinë…, do vinë », si goditje të buta çekani, në lëshim të plotë të muskujve e nervave.

Ishte e vetmja mënyrë të mos epeshin, të mos shkëputeshin nga ata, nga mami, babi, motrat, vëllezërit, nga shkolla dhe shoqëria, e vetmja mënyrë për të mos këputur fijet me jashtë, fijet me konkreten. Këtë herë, në krahë të shoshoqit, me zë të mekur, nisën të kujtojnë të shkuarën, për t’iu larguar të tashmes së egër.

– Të kujtohet aksioni në Lukovë, deti, dielli, gruri, plazhi ? Të kujtohet si të ngacmoja me guralecë që t’i bëja kosh tek rrobat e banjës ? Po mbrëmjet ? – e pyeste Miri, dhe ajo tundte kokën në heshtje e pikëllim.

Ai i foli për xhirot, për fustanin e bukur që i kish qepur asaj mamaja me një copë turke, i kujtoi kur vajtën në estradë dhe panë Skënder Sallakun, që i shkriu me lot, kur kishin ngrënë po atë natë trigona me lekët që ai të nesërmen do blinte bukën e shtëpisë, i kujtoi bile edhe këngët e Luçio Dalës e të Adriano Çelentanos, që ajo i kishte aq qejf. Madje, me zë të mekur, zu t’i këndojë, me gojën te veshi i saj « Chi non lavora, no fa l’amore », këngën më të dashur të tyre.

Ajo i vuri dorën te goja, që ai të heshtte, mos vazhdonte më tej, dhe lotët u shkuan çurg. Kishin etje të marrë, uri të tërbuar, ftohtësi kallkan. E ç’u kish mbetur tjetër veçse të dorëzoheshin para urisë, etjes, torturës, burgut ! E ç’u kish mbetur tjetër veçse të pinin lotët e tyre për të shuar etjen, të kafshonin mishrat për të shuar urinë, të shkulnin flokët për të torturuar fizikisht vetveten, që të paktën të mund të qetësonin torturat mendore !  Por përsëri, shumë u kish mbetur, u kish mbetur shpresa gjer në fund, edhe vetë shpirti i gjallë.

– O zemra ime, o shpirti im, të dua, të dua, mbahu, mos e lësho veten ! – i përsëriste pareshtur ai, shkrirë në vaj…

Deri atë hop, më kishin parë përgjatë mureve, dhe qenë tmerruar nga unë. As që e merrnin dot me mend se unë isha hija besnike e tyre, tek kisha shpalosur krejt krahët mureve për të penguar sulmin e demonëve të betonit. Vërtet kisha mposhtur djajtë e errësirës, por e dija që betoni të ha pak nga pak, të përpin pak nga pak, të kallkanos pak nga pak, siç hëngri dhe rrënoi pak nga pak, për pesëdhjetë vjet me radhë, një vend të tërë, aq të pasur në krejt potencialet e veta. Por edhe më shumë më mbetej për të bërë, që të shmangia gjer në fund demonët e marrëzisë, sepse ishte krim i pafalë që ajo pafajësi e dëlirë, pa kurrfarë mëkati, të gllabërohej nga çmendësia. Jo, kurrsesi, ata ishin engjëllorë, ishin « për t’i pirë në kupë », sipas shprehjes së bukur shqipe. Dhe duhej t’ua ruaja mendjen të pastër e të pacenuar. Ky ishte misioni im kryesor për t’i përjetësuar e përtejësuar në mënyrën më fisnike. Duheshin pra, marrë në mbrojtje nga marrëzi e betonit, nga marrëzi e të Marrit…

I vura sërish në gjumë, për të dytën, për të tretën, për të katërtën e të pestën herë, gjithnjë duke ua zgjatur edhe më shumë mpirjen dhe dobësimin fizik e duke përdorur fuqimisht narkozën e ëndërritjes dhe të vegimit. Ishte e vetmja mënyrë për t’i mbrojtur nga kthetrat gërryese të stomakut, nga eshkësimi i gjuhës dhe grykës, nga çujësimi i trupit, por edhe nga vetë marrëzia. I përkundja në djep të shpresës së paktë për t’i vënë në gjumë, por më zgjoheshin, më kërcenin përpjetë, hoveshin, nga frika e vdekjes. Ishte një lojë e tmerrshme, mes jetës e vdekjes, mes arsyes e marrëzisë. E kisha të pamundur të vija këtu baraspeshën, kur fataliteti peshon me tërë egërsinë e vet në njërën anë të peshores. Ishte një mision torturues edhe për mua vetë, sepse kurrë s’e kisha parë veten aq pisk. Kurrë s’ma priste mendja që ata bunkerë të arrinin të torturonin e terrorizonin edhe vetë perënditë dhe hijet e tyre !…

U detyrova atëherë t’u shfaqem, t’u konkretizohem në materie të gjallë, për të mos i lënë të vuanin gjatë, për të mos i braktisur në çastet më kritike, ndërkohë që vetë realiteti i kish zbuar e jashtëqitur, për t’i varrosur barbarisht në atë varr tunel-bunker të një populli të tërë.

Tek po endej mureve me duar, ditën e tretë, a të katërt, ndoshta – se për mua koha dhe hapësira janë tërësisht relative dhe s’kanë rëndësinë që u kushtojnë njerëzit -, ajo e gjorë Mira më dalloi në një qoshk pezhishke, merimangë të vogël, të bardhë, siç isha unë vetë, dhe shtangu. Sh t a n g u : një gjallesë në atë tunel-varr ! Dhe që lëvizte. Dhe që bënte punën e vet. Një gjallesë-merimangë… Shqeu sytë, vështroi duart e veta nga ku i vareshin nëpër thonj e gishta flokë të shkulur nga të vetat, vështroi sërish pezhishkën, u bind se kishte përpara një rrjetë me merimangë brenda, dhe aty-aty, i vetëtinë në mendje fjalët e përhershme të mamasë, sa herë që pastronin bashkë muret e shtëpisë : « Merimanga e bardhë sjell fat !»

– Fat…, fat…, faaat ! – mundi të bëlbëzojë.

U çel një dritare shprese e re në trurin e saj të mpirë dhe, ashtu këmbadoras, me eshtra të copëtuara e me plagë të vetëbëra gjithandej trupit e kryeve u përmbys përmbi Mirin, u mundua ta shkundë e ta nxjerrë nga kllapia që e kish mbërthyer të gjorin djalë. Ia doli mbanë tek e zgjoi :

– Fat…, fat…, faaat ! përsëriste me frymë gati të sosur dhe me gishtin, mbi mua, si shpëtimin e tyre …

Po nga ta dinin, të zinjtë ata, që unë vërtet isha shpëtimi i tyre i fundit, i përjetë !

Arriti të më shohë më në fund edhe i miri djalë, tek ngriti mundimshëm nga sytë varr rrasën e qepallave. Më buzëqeshi ëmbël e hidhur, me atë buzëqeshje mbinjerëzore që mund t’i bëhet dhuratë vetëm vdekjes, i buzëqeshi edhe asaj, me shumë ëmbëlsi të syve, por me ëmbëlsi tashmë të vrarë, me vështrim gati të fikur, të asgjësuar. Ishte krejt i bindur që ky qe mbarimi i tyre, por të paktën një mbarim i qetë. Rrëmoi në vetvete për të rigjetur forcat e fundit, dhe e mbërtheu atë, Mirën e tij, të dashurën gjer në vdekje, në krahë, e shtrëngoi për të mos e lëshuar kurrë më, duke e puthur e puthur, dhe duke i pëshpëritur në vesh, me zë të mekur :

– Fat, shpirti im, fat !… Do vinë…, nuk do vonojnë…, do vinë…Fli tani, zemra ime !

Dhe ashtu të lidhur, në gjoks të njëri-tjetrit ranë në gjumë të thellë, në martesë të përjetshme.

Maj 99.

 

URAN BUTKA MIDIS MISIONIT DHE PASIONIT

$
0
0

( Një lexim i vëllimit me tregime dhe novella “Vetëm një natë” të Uran Butkës)/

Shkruan: Halit  Shamata/

Ndryshe do të thonim: Uran Butka midis historisë dhe letërsisë. Në kufirin ndarës dhe në osmozën natyrale që i bashkon të dyja, Uran Butka riskon suksesin e tij të dyfishtë.

Puna e historianit për të është një mision, si rrallë herë i paautorizuar nga askush. Ndërsa shkrimtaria letrare, deri më tash e hijezuar nga politikani dhe historiani Butka, po rreket të ndryshojë rendin e përparësisë së vlerave. Krijimtaria letrare është pasioni i përditëshmërisë së tij. Por Uran Butka ka bërë me pasion edhe deputetin dhe vazhdon të bëjë me një pasion natyral, punën e historianit.

Euxhenio Montale, poeti nobelist dhe, në të gjallë edhe senator i përjetshëm italian, në përmbledhjen me ese “Në kohën tonë” shkruan se raporti mes ideales dhe reales krijoi letërsinë klasike, ndërsa raporti mes reales dhe ireales, krijoi letërsinë moderne. Përtej dy blloqeve kryesore të letërsisë, te Uran Butka përndryshe, shfaqet një qasje tjetër, raporti mes historisë dhe realizmit si drejtim letrar. Një qasje deri diku niçeane. Në veprën “ Mbi dobinë dhe dëmin e historisë për jetën”, Niçe shkruan “ Ajo që është histori dhe ajo që nuk është histori janë në mënyrë të barabartë të domosdoshme për shëndetin e një individi, të një populli dhe të një qytetërimi. përkth. im). Duket sikur në këtë pamëdyshje të dyshuesit të paepur Niçe, Uran Butka end thurimën e teksteve të tija historike dhe letrare. Historiani Butka i ofron Butkës shkrimtar, dokumenta, fakte, dëshmi, në të shumtën e rasteve tronditëse, që abstragohen estetikisht në tekst letrar, duke ruajtur herë drejtpërdrejtë, herë të mjegulluar kontekstin dhe dëshminë historike. Nga ana tjetër shkrimtari i ofron historianit, gjuhën dhe stilin letrar, vitalizimin e shkrimeve historike, me një qasje të vetvetishme letrare duke ruajtur entitetin e tekstit historik.

Një gjë vlen të thuhet lidhur me atë që Niçe e quan “ dëmi i historisë”. Veprat historike të Butkës kanë mënjanuar deri diku nga vëmendja e lexuesit, veprën e tij letrare. Kjo ka edhe një arsye më shumë, veprat historike të Butkës, i përkasin historisë politike moderne. Është i njohur konstatimi i Edit Durhamit, se shqiptarët prodhojnë më shumë histori se sa konsumojnë. Me ç’duket pas njëqind vjetësh, mund të themi të kundërtën…

Duket vërtetë e çuditshme që, megjithë kontekstin e jetës dhe përjetimeve politike, proza e shkurtër e Uran Butkës, dallohet lehtas për lirizmin e sinqertë dhe poetikën ngrohtë. Mund të thuhet se ai është në vazhdën e rrëfimit poetik në prozë, të brazduar herët nga mjeshtra si Mitrush Kuteli, por edhe Sotir Andoni etj.

Uran Butka është në përputhje me veten, përsa i përket natyrës së njeriut dhe natyrës së stilit të tij letrar. Ai është i kuptueshëm, me një lexim të parë, por gjërat duket sikur ndërlikohen pasi ke mbaruar se lexuari tregimtarinë e tij.

Aktualiteti shqiptar , që hera-herë shmanget në të shkuarën e afërt, është ajo me të cilën lidhen shqetësimet dhe përjetimet krijuese të Uran Butkës.

Më poshtë po përpiqem të ofroj disa lexime të vëllimit “ Vetëm një natë” që sapo ka dalë nga shtypi:

Tregimi “Vetëm një natë”, që ka pagëzuar librin me proza, na rrëfen kalvarin e mundimshëm gjer në pamundësi, nëpër të cilin kalon procesi i kthimit të pronës. Për autorin, rikthimi i pronës nuk është malli në vetvete, por është rikthim te liria, e cila ka kuptim, qoftë edhe vetëm për një natë.

Tregimi “Zëri”, në një kontekst social, na thotë se gjëra fare të vogla, siç është ngritja e pavetëdijshme e tonit të zërit, mund të prishë statukonë e një familjeje. Në kontekstin psikologjik, zbrazëtia e zërit, prish ekuilibrat shpirtërorë.

Uran Butka në pjesën më të madhe të tregimeve të tij, shfaq një mentalitet që e ka kapërcyer prej kohësh tranzicionin e stërzgjatur shqiptar. Në tregimin “ Viti ‘92” pasqyrohet model i një nëpunësi arsimor, që pasi ka provuar torturat dhe burgjet e komunizmit, duke qenë i ndershëm me veten, i vlerëson njerëzit nga meritat dhe jo nga biografia, gjë nga e cila ne shqiptarët ndjehemi të trysnuar ende edhe sot.

Tirana ze një vend të veçantë në librin e Butkës. Tregimi me titullin sugjestionues “Pamje nga ura” nga idili i Urës së Tabakëve, gjer tek gërrhima çehoviane në shfaqjen e dramës së Milerit, ngre problemin e vlerave të dyshimta që mpleksin të ardhmen e një njeriu apo një qyteti.

Karrierizmin e mbështetur mbi shëmtimin moral trajton novella “Arrivisti”. Dhe po në këtë frymë, është edhe përpjekja për të blerë me para, lavdinë e

parardhësve, jo për t’i bërë nder qytetit, por në emër të pushtetit, tek tregimi “Shtatorja”. Ceremonia për përurimin e shtatores që bëhet në prag të zgjedhjeve ka një mbyllje groteske. “Në orën e caktuar kryetari i bashkisë mbajti një fjalim të ndjerë dhe, në mes të një entusiazmi të paparë, nisi të zbulonte shtatoren. Por gjithçka u fashit rrufeshëm: shtatorja ishte pa kokë”.

Në libër ka një numër tregimesh ku përjetimet dhe përvoja personale, kondensohen në situatë artistike, përmes dramacitetit tek tregimi “Nëna”, përmes së papriturës tek tregimi “Prangat” si dhe përmes lirizmit tek “ Dy pensionistët”, apo përmes aksionit tek tregimi “Pishat e buta”. Sikurse ndodh që përjetimi personal nuk arrin gjendjen e masës artistike si në skicën ‘Përfaqësuesi i popullit” etj.

Uran Butka ka njohur dy anët e madaljes së pushtetit. Ai është ndër të paktit njerëz që kanë provuar dhunën e egër të shtetit dhe qënien në pushtet. Nga kjo buron dramaciteti dhe thelbi i qenies së tij. Por unë besoj se ai i përket atyre që mendojnë se pushteti nuk është as i natyrshëm, as i domosdoshëm.

Më në fund do të them se Uran Butka është vital në gjithë qenien dhe krijimtarinë e tij. Nga viti ’96, në harkun e njëzet viteve, ai ka shkruar më shumë se njëzet vepra në fushën e historisë, monografi, libra me tregime, një roman etj. Një model se si mund të përballohet koha fizike me punë të përditshme. Në takimin e radhës ai është gati të dhurojë një libër të ri. Kjo të sjell ndër mend Sartrin që besonte se Prusti punonte me dy duar.

 

Viewing all 568 articles
Browse latest View live


Latest Images

<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>